
Konjufca: Qeverinë synojmë ta formojmë me partitë joserbe, opozita ka bërë goditje të ulëta
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se partia e tij synon që ta formojë Qeverinë e re me mbështetjen e partive joserbe.
“Siç e keni parë, Qeveria Kurti 2 u formua në bashkëpunim me minoritetet joserbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka pasur ndikim pozitiv në Kosovë, duke parandaluar Listën Serbe, që operon nën ndikimin e Beogradit, që të ketë pushtet vendimtar – siç kishte në Qeveritë paraprake.” – tha Konjufca për institutin dhe median online me seli në Itali, Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa – transmeton REL.
Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese e Zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe sipas rezultateve preliminare ajo ka fituar 42.27 të votave apo 48 ulëse në Parlamentin me 120 vende.
Minoritetet joserbe kanë dhjetë vende të rezervuara në Kuvend. Nëse LVV-ja dhe partitë joserbe bëhen bashkë do të kishin 58 ulëse; sërish në pak se 61 vota sa kërkohet për formimin e Qeverisë.
Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq ka fituar po ashtu 1 ulëse nga 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb, ndërkaq 9 të tjera Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Por, edhe me mandatin e Rashiqit, LVV-së do t’i duheshin edhe 2 deputetë që të mbështesnin një Ekzekutiv të ri të partisë së kryeministrit Albin Kurti.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se ka pak të ngjarë që LVV-ja të bashkëpunojë me partitë që aktualisht janë në opozitë.
“Nëse do të jetë e nevojshme ne do të takohemi si udhëheqës dhe të vendosim për hapat e ardhshëm, por sa u përket partive opozitare ato kanë ndërmarrë një qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë agresive dhe mendoj se këto Zgjedhje ishin mjaft jofer, me akuza jofer dhe me goditje të ulëta.” – shtoi Konjufca, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Subjektet opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit. Por, kreu i Nismës – parti që garoi në koalicion me AAK-në dhe disa parti të tjera – Fatmir Limaj, ka deklaruar se nuk ka “vija të kuqe”, sa u përket koalicioneve të mundshme: qoftë me LVV-në, qoftë me partitë aktuale në opozitë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për Zgjedhjet e 9 shkurtit. Tani, procesi ka kaluar te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që po trajton Ankesat e partive dhe kandidatëve për Deputet. Pas përfundimit të trajtimit të Ankesave, KQZ-së do t’i hapej rruga për certifikimin e rezultateve zgjedhore.
Partia e parë me më së shumti vota nga Zgjedhjet e vitit 2025 është Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 396,022 vota, apo 42.27% – duke siguruar kështu 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Pas LVV-së, Partia Demokratike (PDK) është renditur e dyta me 196,353 vota, apo 20.96 %, e cila do t’i ketë 24 mandate. Lidhja Demokratike (LDK) me 171,249 vota, apo 18.28% do t’i ketë 20 deputetë. Kurse, Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66,226 vota, apo 7.07%.
Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 ulëset e tjera janë fituar nga komunitetet e tjera joshumicë, me dy deputetë Kosova Demokratik Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.