Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti - Foto: REL/BQK

Konflikti i interesit, konkursi i dyshimtë për dy kandidatë për anëtarë të Bordit të BQK-së

Me 6 vota për dhe tri vota kundër, Komisioni për Buxhet dhe Transfere e ka dërguar në Kuvend listën me 6 kandidatë të propozuar për një anëtar jo-ekzekutiv të bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, përkundër dyshimeve se përzgjedhja e dy prej tyre ishte bërë nga një komision që ishte në konflikt të interesit.

Kandidatët Arben Mustafa dhe Veton Zeqiraj janë këshilltarë të Fehmi Mehmetit, Guvernatorit të BQK-së dhe të njëjtit janë intervistuar nga paneli përzgjedhës ku ka bërë pjesë edhe vet Guvernatori.

Në lidhje me ekzistimin e konfliktit të interesit, Komisioni ka kërkuar interpretim ligjor nga Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës. Të njëjtit e kanë konsideruar se Fehmi Mehmeti, Guvernatori i BQK-së, është gjendur në konflikt interesi.

“Guvernatori i BQK-së është gjendur në konflikt interesi në dukje në rastin e pjesëmarrjes së tij në panelin përzgjedhës për intervistimin e rekomandimin e kandidatëve përkatësisht këshilltarëve të tij për anëtar jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së”, e ka cituar Hekuran Murati interpretimin e Zyrës Ligjore të Kuvendit të Kosovës.

Përveç këtij opinioni, Komisioni kishte para vetës edhe një rekomandim të Qeverisë së Kosovës që të shpallet përsëri konkursit dhe të mos trajtohen dy kandidatë të propozuar, Arben Mustafa dhe Veton Zeqiraj, për shkak se përzgjedhja e tyre është bërë në kundërshtim me nenin 84.2, ku thuhet se anëtarët jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së nuk do të jenë anëtar të personelit të BQK-së.

Përveç opinionit ligjor të Zyrës Ligjore të Kuvendit të Kosovës, Komisioni ka kërkuar edhe një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar nga paneli përzgjedhës në lidhje me këtë çështje.

Në raportin e FMN-së thuhet se ekziston rreziku që mungesa e pavarësisë për anëtarët jo-ekzekutiv mund të ketë pasoja negative të paplanifikuara. Po ashtu, në raport thuhet se BQK mund ta bëj në mënyrë që një ish-nëpunës i cili është i caktuar në bordin e Bankës Qendrore nuk duhet të kishte punuar për BQK-në në një rol me ndikim të konsiderueshëm apo afër menaxhmentit të lartë për të paktën 1 vit para emërimit.

“Neni 84.2 thotë anëtarët jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së nuk do të jenë anëtarë të stafit të BQK-së. Mirëpo nuk e cekë ndonjë restrikcion për stafin e mëparshëm. Megjithatë praktika më e mirë aktuale me standardet e përgjithshme për qeverisjen e korporatave i përfshin edhe rekomandimet që kualifikojnë standardin e pavarësisë te drejtorët jo-ekzekutiv. Kjo ndodh pasi që konsiderohet që është më e vështirë për jo-ekzekutivët të distancohen nga organizata nëse kanë marrëdhënie paraprake të punës me ekzekutivin apo anëtarët e tjerë të stafit. Kjo është posaçërisht e rëndësishme për individët të cilët i kanë pasur rolet ku i kanë luftuar drejtpërdrejtë me punën e Bankës Qendrore apo vendimmarrësit siç janë këshilltarët e lartë apo vendimmarrësit kryesorë”, citoi raportin e FMN-së, Hekuran Murati, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere.

Ish-guvernatori, tash deputeti i PDK-së, Bedri Hamza theksoi se në Kuvend duhet të shkoj lista me të gjithë kandidatët për anëtar jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së duke mos marrë parasysh rekomandimin e Qeverisë e as opinionin e Zyrës Ligjore të Kuvendit për shkak se ato nuk janë obligative për Komisonin.

“Me fitu diçka që nuk ia njeh ligji është shkelje e ligjit. Me u diskriminu dikush në kundërshtim me ligjin jo veç që është shkelje e ligjit por edhe e Kushtetutës dhe konventave të tjera. Asnjë nen e asnjë ligj nuk i përjashton me konkurru për anëtar jo-ekzekutiv. Neve si Kuvend nuk na pengon as mendimi i Qeverisë, neve nuk na obligon. Këtë e ka dhënë nga një Qeveri që tash nuk është. Zyra Ligjore i ka tejkaluar kompetencat e veta, ligjin e interpreton AKK, është opinion ligjor dhe nuk është obligim. Unë nuk kam gjet asnjë pikë që i pengon kandidatët për me ecë tutje. Është mirë me procedu pa vonesa. BQK mbetet pa kuorum dhe pa vendimmarrje. Unë do të votoj që komplet lista të përcillet në seancë për votim”, ka deklaruar Hamza.

Edhe deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi theksoi se ata si Komisoni nuk kanë të drejtë me pengu asnjë kandidat me shku në Kuvend.

“Asnjëherë nuk do të marr vendim që nuk është kompetencë e Komisionit. Duhet të jemi të kujdesshëm. Institucioni i Bankës është kryesor dhe kërkohet përgjegjësi dhe vlerësim korrekt. Unë personalisht do të votoj që të gjithë kandidatët që janë vlerësuar nga Paneli. Nuk marrë të drejtë të bëhem pengesë se nuk i njoh më mirë se ata as të drejta dhe anën ligjore. Me aq sa kam parë CV-të pajtohem me Bedriu që të gjithë meritojnë të jenë pjesë e bordit. I takon Kuvendit të Kosovës ashtu siç i ka detyrat. Ne si Komision nuk kemi të drejtë me pengu asnjë kandidat”, tha Rexhepi.

Anëtarja e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila theksoi se nuk po bëhet fjalë për integritet të kandidatëve të propozuar por për integritet të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve nga paneli.

“As rekomandimi i FMN-së e i Zyrës Ligjore, nuk ka hy në integritet të individëve por të procesit, mos ta gjeneralizojmë. Ne flasim vetëm për integritet të procesit, është jo e drejtë me kualifiku kur vet ne e kemi kërku. Sipas logjikës të qeverisjes së mirë dhe mundësisë për konflikt të interesit ku duhet me u evitu. E drejta e mbikëqyrjes së ngrit pikëpyetjet e veta. Nuk mundemi me pretendu që nuk i kemi para vetes dy dokumentacione. Në rast si deputet mundemi me e fuqizu qeverisjen korporative, nuk është e tepërt me marrë qëndrim se anëtarë që janë të angazhuar në BQK ashtu siç rekomandon FMN në mënyrë që të kthehen në një pozitë si anëtar. Janë vetëm 2 kandidatë nga 6. Duhen procedura të qarta të cilat aktualisht nuk janë, mund të ketë pasoja negative të paplanifikuara”, tha Kusari-Lila.

Edhe deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi deklaroi është për që lista e plotë me kandidatë të dërgohet në Kuvend.

“Nuk jam për me bo politikë përjashtuese. Është fakt që kemi një interpretim ligjor. Kemi të bëjmë me anëtarë jo-ekzekutiv, kjo dallon shumë. Unë nuk do të jem përjashtues. Ftoj Komisionin që të jemi unanim dhe Kuvendi të vendos”, theksoi Abrashi.

Në fund, kryetari i Komisionit, Hekuran Murati theksoi se vet fakti që ka konflikt interesi përbën diskriminim për kandidatët e tjerë të intervistuar. Ai propozoi që lista të kthehet dhe të rishpallet konkurs.

“Nëse mendoni që duhet me kërku interpretim prej AKK, e kërkojmë, si interpretim i tillë, atë punë e ka Zyra Ligjore, me iu përgjigj kërkesave të deputetëve nëse kanë dilema. Vet fakti që ka konflikt interesi përbën diskriminim për kandidatët e tjerë që nuk kanë qenë të afërt me panelin përzgjedhës. Kemi edhe raportin e FMN-së dhe nuk duhet ta flakim si të parëndësishëm. Bordi jo-ekzekutiv e ka për detyrë me mbikëqyr punë e bordit ekzekutiv, nëse përfundojmë me njerëz, dëmtohet rëndë pavarësia e mbikëqyrjes dhen nuk mund të flasim më për një institucion të pavarur. Rekomandimet e tyre duhet të merret për bazë. Konflikti i interesit është vepër penale, nuk duhet ta neglizhojmë këtë punë. Mendimi im që mos të ketë diskriminim është që lista të kthehet dhe të rishpallet konkursi”, deklaroi Murati.

Lista me 6 kandidatët e propozuar për anëtar jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së të cilët janë dërguar në Kuvend ka këtë përbërje: Arben Mustafa, Avni Sahiti, Bedri Peci, Mimoza Mustafa, Valdrin Kasumaj dhe Veton Zeqiraj.

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Transfere

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Transfere

Publiée par Kallxo.com sur Mercredi 24 juin 2020