Konfirmohen edhe 26 raste pozitive me coronavirus, numri shkon në 61

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 26 raste të reja me coronavirus në Kosovë duke shtuar numrin e të infektuarve në 61.

“Nga 26 rastet e konfirmuara të gjitha janë kontakte të gjurmuara të rasteve pozitive (familjarë dhe kontakte të ngushta), të detektuara përmes hulumtimit aktiv epidemiologjik. Prej tyre 14 raste janë nga komuna e Malishevës, 11 raste nga Gjilani dhe 1 rast nga Gjakova”, thuhet në njoftimin e IKShP.

Sipas Institutit, sonte  me 23.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR,  janë testuar njëqind (100) mostra të marra në hulumtim të personave që kanë qenë në kontakt të afërt me rastet e konfirmuara dhe të gjithë kanë qenë në vetë izolim, përveç një rasti nga fshati Panorc, Malishevë i shtrirë në Klinikën Infektive. Testimi në numër kaq i  madh është bërë me qëllim të gjurmimit të të gjitha kontakteve të rasteve të konfirmuara të cilat janë gjet në mënyrë proaktive nga ekipet e IKShPK. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV,  njëzet e gjashtë (26) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Nga 26 rastet e konfirmuara të gjitha janë kontakte të gjurmuara të rasteve pozitive (familjarë dhe kontakte të ngushta), të detektuara  përmes hulumtimit aktiv epidemiologjik. Prej tyre 14 raste janë nga komuna e Malishevës, 11 raste nga Gjilani dhe 1 rast nga Gjakova.

Nga data 08.02.2020 deri me 23.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 690 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej gjashtëdhjetë e një (61) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.