Këshilli i Evropës, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Komiteti për Çështje Politike ka kërkuar që Asociacioni të jetë “angazhim pas anëtarësimit" në Këshillin e Europës

Këshilli i Europës ka njoftuar që Komiteti për Çështje Politike gjatë takimit të mbajtur më datë 27.03.2024 në Paris për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës ka kërkuar që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë një “angazhim pas anëtarësimit”.

Sipas Komitetit, një gjë e tillë do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe kërkon që shpronësimet duhet të kryhen “në respektimin më të rreptë të ligjit” dhe në përputhje të plotë me Planin e Ahtisaarit.

Përndryshe, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar më 15.03.2024 tha që Asociacioni është kusht për anëtarësim.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”- ka theksuar Escobar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) ka rekomanduar që Kosova të ftohet të bëhet anëtare e Këshillit të Europës, duke miratuar kështu projekt- opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis me 31 vota pro dhe 4 kundër.

Sipas njoftimit të Këshillit të Europës, Komisioni ka mirëpritur një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës dhe vuri në dukje se “anëtarësimi do të çonte në forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar qasje në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.

Këshilli i Europës ka njoftuar që Asambleja e plotë – duke mbledhur parlamentarë nga 46 shtetet anëtare të Këshillit të Europës – do të debatojë rekomandimin e komisionit më 18 prill.

Ndërkaq, vendimi përfundimtar për anëtarësimin merret nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës.

Ndërkaq, duke vënë në dukje përkeqësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore të Kosovës, Komisioni ka vënë në dukje se “rreziku i dhunës së hapur në Kosovë është shumë real”, dhe tha se siguria varet nga “mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, depërshkallëzimi i tensioneve dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- njofton Këshilli i Europës.

Mes tjerash, Këshilli i Europës njoftoi që duke pranuar “rrethanat e paprecedentë” të aplikimit dhe duke pasur parasysh se një numër vendesh anëtare të Këshillit të Europës nuk e njohin Kosovën si shtet, Komisioni bëri thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis” dhe ftoi Komitetin e Ministrave të sigurojë që të sigurohet që anëtarësimi i Kosovës të jetë “pa paragjykuar qëndrimet e shteteve anëtare individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.

“Komiteti rekomandoi gjithashtu që Kuvendi të hapë një procedurë monitorimi për Kosovën, për të siguruar respektimin e zotimeve dhe obligimeve që nga aderimi i saj”- shkruan në njoftimin e Këshillit të Europës.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Europës.

Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.

Pranimi në këtë organizatë bëhet me votimin e shumicës prej 2/3.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.