Këta janë policët e suspenduar për përleshjen te ‘Duplex’

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e dy policëve lidhur me rastin e përleshjes së armatosur që ka ndodhur në afërsi të lokalit të natës “Duplex”, në Prishtinë, që kishte ndodhur rreth mesnatës së 9 nëntorit.

Nga kjo përleshje të plagosur kanë mbetur 4 persona, të cilët ishin dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Në një përgjigje për KALLXO.com, IPK ka konfirmuar se ka rekomanduar suspendimin e dy pjesëtarëve të Policisë.

“Ju informojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar në Inspektoratin Policor të Kosovës përkatësisht në Departamentin e Hetimeve. Ky rast, bazuar edhe në  ligjin të IPK-së është iniciuar sipas detyrës zyrtare dhe më datën 18 nëntor 2019 nga IPK është rekomanduar suspendimi i dy zyrtarëve policor të Njësive të Specializuara”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Pamje nga kamerat e sigurisë, plagosjet në ‘Duplex’

KALLXO.com mëson se dy policët e suspenduar janë pjesëtarë të Njësive Speciale.

Fjala është për Ilir Hamitin dhe Gani Pecin.

IPK ka thënë për KALLXO.com se në koordinim me prokurorinë kompetente lënda është duke u hetuar në procedurë të rregullt me dyshimin se është kryer vepra penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për plagosjen me armë në afërsi të lokalit “Duplex”, në Prishtinë.

Njëri nga gjashtë personat e dyshuar për plagosjen që ndodhi natën e incidentit ishte arrestuar më 12 nëntor nga Policia.

Në vendin e ngjarjes ishin sekuestruar tri armë zjarri, të cilat dyshohet  të jenë përdorur në këtë  rast.

Sipas Policisë, në këtë rast si të dyshuar ishin identifikuar 6 persona.

Arrestohen  edhe dy të dyshuar për plagosjen me armë para “Duplex-it”

www.kallxo.com