Arrestohet njëri nga të dyshuarit për plagosjen në “Duplex”
Njëri nga gjashtë personat e dyshuar për plagosjen e cila ndodhi mbrëmjen e së shtunës në afërsi të lokalit “Duplex”, në Prishtinë, është arrestuar nga policia.
Në njoftimin e policisë thuhet se i dyshuari është arrestuar dje.
“Lidhur me rastin, dje njësia policore ka identifikuar dhe ka arrestuar një të dyshuar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mbrëmjen e së shtunës, policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë në afërsi të lokalit të natës “Duplex”.
Sipas policisë, në këtë rast, katër persona janë plagosur nga arma e zjarri dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor.
Në vendin e ngjarjes, ishin sekuestruar tri armë zjarri, të cilat dyshohet të jenë përdorur në këtë rast.
Në të dhënat e deri tanishme të policisë, në këtë rast, janë gjashtë persona të dyshuar të cilët janë identifikuar nga ana e policisë.
Gjatë ditës së djeshme është arrestuar njëri prej tyre, ndërsa pesë të tjerë ndodhen ende në arrati dhe janë në kërkim nga ana e policisë.
Njëri nga të dyshuarit në këtë rast, është edhe Astrit Mehmeti, i njohur si “Llepota”.
KALLXO.com ka publikuar pamje nga plagosja e cila ndodhi mbrëmjen e së shtunës.
Në pamje shihet personi me setër ngjyrë krem tek afrohet te sigurimi ndërsa pas një diskutimi nxjerr revolen dhe qëllon në drejtim të pjesëtarëve të sigurimit.
Njëri nga ta nuk largohet dhe këtu fillon përleshja edhe me grushte.