Këshilli Prokurorial parashtron kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj prokurores Shemsije Asllani

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka njoftuar se ka parashtruar kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurores Shemsije Asllani pas audio-incizimeve të publikuara, të cilat përfshijnë zyrtarë të lartë shtetërorë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, njofton opinionin publik se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në kuadër të kompetencave ligjore, ka parashtruar sot në KPK kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj një prokurori të kësaj prokurorie që ka të bëjë me audio-incizimet e publikuara në portalin “Shqip.com””, thuhet në reagimin e KPK-së.

KPK, në kuadër të kompetencave ligjore, do ta trajtojë këtë kërkesë të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, duke themeluar panelin hetimor i cili është kompetent për të trajtuar shkeljet e pretenduara.

Gjithashtu, KPK siguron opinionin publik se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ta trajtuar këtë rast dhe njëherësh njofton tërë opinionin publik dhe institucionet e pushtetit ekzekutiv se nuk do t’i nënshtrohet asnjë lloj presioni apo tentim-ndikimi nga jashtë, por veprimet e veta gjithnjë do të jenë në përputhje me kompetencat që ia garanton Kushtetuta dhe Ligji.

Kujtojmë se ky është reagimi i parë i Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), gjashtë ditë pas publikimit të përgjimeve të para.

Një prokurore e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, pretendohet se dëgjohet deri sa tregon për ushtrimin e ndikimit të saj dhe zgjedhjen e personave në pozita të caktuara.

Në bisedat e publikuara në “Shqip.com”, prokurorja pretendon se ka miq në Agjencinë Kosovare e Inteligjencës, gjyqtarë e institucione të tjera, të cilët e mbrojnë.

Ndërsa, Prokuroria e Shtetit po vazhdon të heshtë rreth përmbajtjes së audio-incizimeve të publikuara javën e kaluar, të cilat supozohet se janë audio-incizime të vitit të kaluar.

Media online “Shqip.com” më 30 korrik publikoi një audio- inicizim më shumë se 10-minutësh deri sa pretendohet se dëgjohet prokurorja Asllani tek flet me një person për zgjidhjen e një rasti të këtij të fundit.

Në audio-incizimet që pretendohet të jetë prokurorja Asllani, dëgjohet teksa nuk heziton të ndajë informacione se çka po ndodh brenda sistemit prokurorial dhe ndikimin e saj edhe në zgjedhjen e një gjyqtari ndërsa dëgjon informacione rreth saj nga bashkëbiseduesi se kinse ajo është e përfshirë në dosjen hetimore të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, hetimin e të cilit po e kryejnë siç thuhet në raportimet e medias online, nga disa ndërkombëtarë.

Gjatë gjithë ditës së sotme KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim nga prokurorja, Shemsije Asllani, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, Kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi e të Këshillit Prokurorial të Kosovës, por deri në publikim të këtij shkrimi, asnjëri nuk i është përgjigjur as thirrjeve e as email-eve të KALLXO.com.

Përveç ditës së sotme, KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me prokuroren Asllani edhe në ditën e publikimit të audio-incizimeve nga media online “Shqip.com”.

Biseda, sipas “Shqip.com”, është më shumë se 40 minuta dhe diskutimi pretendohet se bëhet mes prokurores Asllani dhe një personi tjetër i cili e kishte telefonuar prokuroren në lidhje me një veturë që ia kishin konfiskuar pa të drejtë dhe për këtë e kishte bërë përgjegjës Lumezin.

Sipas audio-incizimeve në të cilat dyshohet se është përfshirë prokurorja Asllani, në fillim të bisedës thekson se telefonata i duket e panevojshme, por më pas i shtohet interesi, kur dëgjon se telefonuesi ka informacione sekrete për të dhe për kryeprokurorin Lumezi.

“Tha na jemi t’u e hetu, t’u e hetu na jemi Lumezin që nja 3-4 vjet, tha. Për korrupsion, për seksualitet – më fal në shprehje… Edhe për përdorje të kokainit”, dëgjohet biseda e telefonuesit që pretendohet se e ka realizuar me prokuroren Asllani.

“Do me thanë Shemsije, unë emrin tond e kam pa aty. I kam pa nja 80 foto, i kam pa aty ma s’pakti”, i thotë telefonuesi, ndërsa prokurorja i kundërpërgjigjet “edhe temin a?”.

Telefonuesi vazhdon t’i tregojë prokurores se ka parë dëshmi e fotografi në oborrin e shtëpisë së saj ku dukej edhe kryeprokurori Lumezi siç pretendohet me një person tjetër.

Brenda raportimit të “Shqip” përmendet edhe një ndërhyrje e prokurores Asllani në AKI.

Këtë ndërhyrje Asllani pretendohet se e ka përmendur deri sa kishte treguar se interesimi i saj për lëndën e personit me të cilin flet mund të jetë shkelje e kodit të etikës, ushtrim ndikimi, shkelje të integritetit.

Pasi i rikthehen temës së problemit ligjor që kishte personi i cili bisedon me prokuroren Asllani, kjo e fundit i tregon se menjëherë ishte interesuar për të edhe në AKI.

“Menihere për në AKI kur më tha X (emër i njohur për redaksinë) për me fol, unë fola në AKI. I kam miqtë, i kam njerëzit që më ruajnë”, tregon ajo të jetë interesuar për rastin e këtij personi edhe në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Kjo çështje pritet të diskutohet edhe në mbledhjen e radhës së Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Kështu të paktën ka thënë në një deklaratë për KALLXO.com zëvendëskryetari i këtij Komisioni, Sali Zyba.

Që nga publikimi i parë i këtyre përgjimeve kanë kaluar pesë ditë ndërsa Prokuroria e Shtetit nuk ka dhënë asnjë sqarim zyrtar në lidhje me pretendimet për përfshirjen e prokurores Shemsije Asllani në këto audio-incizime e as për verifikimin e vërtetësisë së tyre.

Dy audio-inicizme të reja janë publikuar nga “Shqip.com” gjatë ditës së djeshme dhe të sotme në të cilat pretendohet se i përfshirë është drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, deri sa me një telefonues flet se si po planifikon të kapë media të fuqishme në Kosovë e më pas t’i përdorë për shantazhe në raste të ndryshme.

Skandal: Përgjimet shfaqin planet e shefit të Inteligjencës Financiare për investime në media, prokuroria hesht për dosjen e prokurores