Pallati i Drejtësisë - FOTO: Fatrion Ibrahimi / KALLXO.com

Këshilli Gjyqësor fton që seancat e ndërmjetësimit të mbahen online

 

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, (KGJK) sot ka marrë pjesë në takimin me USAID për të treguar rëndësinë e mbajtjes së seancave të  ndërmjetësimit në mënyrë elektronike.

Në njoftimin e KGJK-së thuhet se mbajtja e seancave të ndërmjetësimit online është alternativë moderne  dhe e sigurtë në kohë krizash  e po ashtu e lehtëson punën e gjykatave që palët të realizojnë të drejtat e tyre më shpejtë.

Tutje zëdhënësja e KGJK-së Aishe Qorraj, në këtë takim kishte thënë se inkurajoj të gjitha gjykatat që sa më shumë lëndë të zgjidhin përmes procedurës së ndërmjetësimit.

Në mbledhjen e 30 janarit kur ishte publikuar doracaku për ndërmjetësim kryesuesi I KGJK-së, Skender Çoçaj kishte thënë se

“Procedurat e ndërmjetësimit, do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në ngritjen e efikasitetit, përmirësimin e performancës dhe të imazhit të sistemit gjyqësor, rritjen e besueshmërisë së publikut si dhe ofrimin e zgjidhjeve alternative më të lehta, më të shpejta për qytetarët, duke përmirësuar dukshëm sistemin gjyqësor në tersi”.

Çfarë është procedura e ndërmjetësimit?

Sipas Ligjit për Ndërmjetësim procedura e ndërmjetësimit është formë e re e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në rrugë jashtëgjyqësore.

Palët në procedurën e ndërmjetësimit janë i dëmtuari, i pandehuri dhe ndërmjetësuesi.

Kur mund të zgjidhen lëndët gjyqësore në procedurën e ndërmjetësimit?

Procedura e ndërmjetësimit mund të zhvillohet vetëm për ato vepra penale për të cilat parashihet dënimi me gjobë ose dënim me burgim deri në 3 vjet.

Por në asnjë rast nuk mund të zhvillohet ndërmjetësimi  për veprat penale të dhunës në familje.

Prokurori i rastit, kallëzimin penal për veprën penale të dënueshme deri në 3 vjet mund të dërgojë në procedurë të ndërmjetësimit duke mos ngritur aktakuzë të drejtpërdrejtë.

Por para se të dërgohet rasti në ndërmjetësim merren parasysh lloji dhe vepra penale, rrethanat në të cilat është kryer vepra, personaliteti i kryerësit, nëse është dënuar më herët për veprën e njëjtë ose të ngjashme si dhe nivelin e përgjegjësisë së kryerësit.

Ligji për ndërmjetësim njeh edhe të ashtuquajturin ndërmjetësim të obligueshëm në rastin kur gjyqtari i çështjes obligon palët që për aktakuzën e ngritur të zhvillojnë procedurën e ndërmjetësimit.

Përparësitë e procedurës së ndërmjetësimit në krahasim me procedurën e rregullt gjyqësore janë se procedura e ndërmjetësimit është procedurë e shpejtë e cila duhet të përfundojë brenda 90 ditëve dhe shpenzimet i paguajnë proporcionalisht palët.

Tutje në këtë procedurë ruhet konfidencialiteti i palëve sepse gjithmonë përjashtohet publiku.

Si dhe në procedurën e ndërmjetësimit i pandehuri nuk regjistrohet në databazën e gjykatës lidhur me të kaluarën kriminale.

Deri më tani në Kosovë me procedurën e ndërmjetësimit janë zgjidhur gjithsej 2 mijë e 847 raste ndërsa nuk janë zgjidhur 177 raste, ndërsa në proces të zgjidhjes janë edhe 64 raste të tjera.

Prej vitit 2012 e deri në vitin 2019 nga gjykatat janë referuar në procedurën e ndërmjetësimit 2 mijë e 82 raste, ndërsa nga prokuroria janë referuar 917.

Ndërsa procedurën e  ndërmjetësimit me vetiniciativë  e kanë zhvilluar vetëm 33 palë nga 2012 deri në vitin 2019.

Gjykata e Gjilanit dhe Prizrenit renditen të parat  për referimin e lëndëve gjyqësore në procedurën e ndërmjetësimit, ndërsa Gjykata e Gjakovës rezulton që përgjatë 7 viteve të ketë referuar vetën 250 lëndë për zgjidhje në procedurën e ndërmjetësimit.