Sulejman Rexhepi. Foto: IVZ

Kërcënimi për të rihapur xhamitë, paralajmërime për kreun e Bashkësisë Islame në Maqedoninë e Veriut

Kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepi, është paralajmëruar se mund të përballet me kallëzim penal nëse vazhdon kërcënimin e tij për të rishikuar ndalimin e faljes publike të namazit në xhami, raporton Balkan Insight.

Në një fjalim televiziv të enjten, derisa kërkoi më shume ndihmë financiare nga qeveria, Rexhepi tha se mund të rishqyrtojnë vendimin e mëparshëm për të ndaluar lutjet në xhami, si pjesë e masave më të mëdha të vendosura në Maqedoninë e Veriut për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

“Unë do t’i kujtoj ata (qeverinë) edhe një herë, sepse nëse Zoti na ruajt, do ta rishikojmë vendimin tonë asnjë forcë nuk do të mundet të luftojë epideminë, ju garantoj”, tha Rexhepi.

Zëvendësministrja e Brendshme Slavjanka Petrovska me vonë tha se udhëheqësi i bashkësisë së dytë fetare më të madhe në vend, pas Kishës Ortodokse Maqedonase, duhet të “rishqyrtojë” pikëpamjet e tij, ose Ministria e Brendshme nuk do të hezitojë të veprojë.

“Ne po komunikojmë me prokurorin publik dhe do të vendosim së bashku nëse do të bëjmë kallëzim penal, por thirrja ose mosbindja ndaj masave qeveritare që janë në interes të qytetarëve është e papranueshme, pasi kjo nuk është një betejë qeveritare apo shoqërore por një betejë në mbarë botën”, tha Petrovska.