Foto: Facebook, KEDS Energy
KEDS reagon për sulmin ndaj dy punëtorëve të kompanisë në Pejë
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) ka bërë thirrje që të ndalen sulmet ndaj punëtorëve të tyre gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Kjo thirrje erdhi pas sulmit që iu bë një ekipi gjatë ditës së djeshme në qytetin e Pejës.
“KEDS ka pranuar me shqetësim informatën se gjatë ditës së diel, derisa ekipet tona ishin duke intervenuar në rrjet në një lagje të Pejës, ata janë sulmuar nga një qytetar, i cili nuk ka lejuar punëtorët të kryejnë detyrën e tyre zyrtare, duke rrezikuar kështu edhe furnizimin me energji elektrike për konsumatorët tjetër të asaj lagje”, thuhet në komunikatën e KEDS.
Sipas tyre, përpos sulmit ndaj personave zyrtarë, qytetari ka dëmtuar edhe shtyllën e vënë nga KEDS.
“Për më tepër, i njëjti ka shkaktuar edhe dëme të aseteve të KEDS, me ç’rast ka dëmtuar shtyllën e vendosur nga punëtorët tanë”, thuhet tutje në njoftim.
KEDS i fton organet e drejtësisë të marrin veprime, derisa nga konsumatorët kërkon bashkëpunim me ekpet në teren e jo të bëhen pengesë gjatë punës.
“KEDS dënon fuqishëm këtë veprim derisa fton organet e drejtësisë të veprojnë konform kompetencave të tyre që ata të cilën bëjnë veprime të tilla të marrin dënimin e merituar. Ekipet tona në terren janë të përkushtuar maksimalisht që të kryejnë me përgjegjësi të plote detyrat e tyre derisa KEDS bën apel te konsumatorët që të bashkëpunojnë me ekipet në terren dhe në asnjë mënyrë të mos bëhen pengesë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, potencon KEDS.
Në raportin policor thuhet se një person është arrestuar më 6 shkurt pasi dyshohet se ka kanosur me sëpatë dy punëtorë të KEDS-it, të cilët kishin qenë duke e ndërruar një shtyllë të rrjetit të energjisë elektrike në Pejë.