Policia/Ilustrim

Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në rajonin e Prishtinës

Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se janë raportuar katër raste të dhunës në familje, në rajonin e Prishtinës.

Rasti i parë është raportuar mëngjesin e djeshëm, rreth orës 08:00, në Fushë Kosovë, ku viktima ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga djali i tij.

Policia ka njoftuar se nuk raportohet për ndonjë person të lënduar nga ky rast, ndërsa rasti me vendim të prokurorit shkon ne procedurë të rregullt.

Rasti i dytë është raportuar vetë gjysmë ore pas rastit të parë, në të cilin një person në Drenas ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij.

Viktima e këtij rasti ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.

Pasdite policia ka bërë të ditur se një grua një Prishtinë, ka raportuat se ish burri i saj, e ka shqetësuar dhe kërcënuar.

Në lidhje me rastin, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa, dje rreth orës 13:00, është raportuar edhe rasti i katërt i dhunës në familje i cili ka ndodhur në 24 orët e fundit, në të cilin është arrestuar një person i dyshuar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje, ka sulmuar fizikisht gruan e tij.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.