Kanada, parlamenti voton për të pranuar 10,000 refugjatë ujgurë

Parlamenti i Kanadasë e ka miratuar njëzëri një mocion për pranimin e 10,000 refugjatëve ujgurë që u larguan nga Kina, por të cilët tani po përballen me presion për t’u kthyer në Kinë.

Votimi i ditës së mërkurë bazohet në një vendim të shkurtit 2021 nga ligjvënësit kanadezë për ta etiketuar trajtimin e Pekinit ndaj ujgurëve dhe myslimanëve të tjerë turq në territorin e tij veriperëndimor të Xinjiang si gjenocid.

Grupet e të drejtave besojnë se të paktën 1 milion ujgurë dhe pakica të tjera kryesisht myslimane janë burgosur në kampet e internimit në rajon, ku Kina akuzohet gjithashtu për sterilizimin me forcë të grave dhe imponimin e punës së detyruar.

Dhjetëra mijëra ujgurë janë larguar nga rajoni dhe sipas deputetit kanadez Sameer Zuberi, i cili e sponsorizoi mocionin në fjalë, të paktën 1,600 janë arrestuar në vende të tjera me urdhër të Kinës ose janë riatdhesuar me forcë.

Zuberi vuri në dukje se kryeministri Justin Trudeau dhe kabineti i tij votuan në mbështetje të mocionit, duke sinjalizuar “qëllimin e qeverisë për ta bërë këtë” edhe pse nuk është detyrues.

Mocioni thotë se ujgurët që “kanë ikur në vendet e treta përballen me presion dhe frikësim nga shteti kinez për t’u kthyer në Kinë” dhe akuzon Pekinin për ushtrimin e presionit diplomatik dhe ekonomik ndaj vendeve për t’i arrestuar dhe dëbuar ata, “duke i lënë ata pa një strehë të sigurt në botë”.

Mocioni propozon rivendosjen e 10,000 ujgurëve në Kanada për dy vjet, duke filluar nga viti 2024.

Kina i ka mbrojtur kampet e saj ujgure në Xinjiang, duke thënë se ato janë tejet me rëndësi për ta luftuar terrorizmin dhe për të ofruar trajnime profesionale për pakicat.

Mirëpo SHBA-ja ka thënë se presioni i Kinës ndaj ujgurëve përbën “gjenocid” dhe Kombet e Bashkuara e kanë dënuar persekutimin e Kinës ndaj ujgurëve dhe myslimanëve të tjerë turq./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala