Kallëzim Penal ndaj Drejtorit të Arsimit në Artanë që mori vendim seksist për një konkurs

Është ngritur kallëzim penal ndaj Drejtorit të Arsimit në Artanë, Sinisa Dimiq për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ngritësja e kallëzimit penal, Idajete Ahmeti, pretendon se Dimiq ka bërë shkelje ligjore duke pranuar në punë dy kandidatë, në një konkurs të hapur për pranimin e një personi, e që kishte konkurruar edhe ajo, e si pasojë po pretendon se ka dëmtuar buxhetin e komunës.

“Përveç padrejtësive që më janë bërë mua si kandidate për këtë pozitë, i njëjti me faktin e përzgjedhjes së dy kandidateve ka dëmtuar buxhetin e komunës, ngase ende pa e pritur afatin për shqyrtimin e ankesave, ka nënshkruar kontratat për dy kandidatet e përzgjedhura dhe të njëjtat kanë filluar punën dhe paguhen nga buxheti i Komunës së Novobërdës (Artanës)” – thuhet në Kallëzimin Penal të ngritur nga Idajete Ahmeti.

Kallëzimi Penal ndaj drejtorit të Arsimit në Artanë

KALLXO.com ka raportuar para disa ditësh për këtë konkurs të hapur për punëtor/e teknik/e në shkollën “Migjeni”, në fshatin Koznicë të Artanës dhe për argumentin seksist që Drejtoria e Arsimit të Artanës e kishte dhënë për shtimin e numrit të kandidatëve fitues.

Duke qenë se të gjitha konkurrueset kanë qenë gra, ata e kanë arsyetuar këtë veprim duke konstatuar se “ndezja e kaldajes është punë e vështirë për një grua”.

“Ka pasur aplikuese vetëm femra, andaj duke u bazuar se shkolla duhet të pastrohet e në të njëjtën kohë edhe të ndizet kaldaja gjatë dimrit në orët e hershme te mëngjesit. Për fillim do të jetë kështu pastaj mendojmë ta bëjmë ndonjë transfer për shkak se është më mirë të jetë edhe një mashkull për shkak të ndezjes së kaldasë, ku kjo punë është e vështirë për femra.” – ka qenë përgjigja e Flamur Ukës, në emër të Drejtorisë së Arsimit në Artanë.

Konkursi ishte hapur në qershor të këtij viti nga autoritetet komunale e kishte titullin “Titulli i vendit të punës: – Punëtor/e teknik/e (1 pozitë)”. Pra, u mundësonte kandidimin të gjithëve, duke mos e vendosur si kriter përjashtues gjininë. Po ashtu në konkurs është cekur se është vetëm një pozitë e lirë.

Se kërkesa ka qenë vetëm për një punëtor e kishte konfirmuar për KALLXO.com edhe drejtori i kësaj shkolle, Albert Mustafa.

“Gjatë rrugës njëherë e kanë pranu një, kemi vendos për një, tani janë marrë vesh edhe për një tjetër me e pru.” – shtoi ai.

Ngritësja e kallëzimit penal pretendon se Dimic po ashtu ka bërë padrejtësi ndaj saj.

Ndër të tjera, aty thuhet se ai ka nënshkruar kontratat për dy kandidatet e përzgjedhura ende pa e pritur afatin për shqyrtimin e ankesave.

KALLXO.com ka provuar të marrë një koment nga Sinisa Dimiq lidhur me këtë kallëzim penal, por deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk ka qenë i qasshëm.

Vendimi seksist i Komunës së Artanës – Nuk konkurroi asnjë burrë, punësuan dy gra për një pozitë