Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq - Foto: REL/EPA-EFE

Ivica Daçiq zgjidhet kryetar i Parlamentit serb

Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, është zgjedhur sot kryetar i Parlamentit serb.

Për Daçiqin votuan 225 deputetë dhe vetëm një ishte kundër.

Ish-kryediplomati Daçiq në këtë garë nuk kishte kundërkandidat.

Kundër Ivica Daçiqit ka votuar deputeti i pavarur Vladan Glisiq, kurse deputetët shqiptarë nga “Lugina e Bashkuar” më herët kishin njoftuar se nuk do të merrnin pjesë në këtë votim dhe ashtu ndodhi.

Zgjedhja e Daçiqit në pozitën e kryparlamentarit nga kritikët u pa si degradim për të. Por, ai menjëherë pasi u zgjodh në këtë detyrë ka thënë se ky është funksioni më i lartë që ai ka kryer deri më tani.

“Detyra ime është të mbroj Parlamentin nga sulmet ndaj atij institucioni dhe nga ata që duan ta degradojnë atë, si dhe tërë Serbinë”, ka thënë Daçiq.