Foto:BIRN

Ish-ushtarët në gjyqin për masakrat në fshatrat e Pejës i kërkojnë gjykatës serbe lirim nga akuzat

Milica Stojanivic/ Balkan Insight
Nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Jugosllave në gjyq në Beograd i kërkuan gjykatës t’i lirojë ata nga akuzat për krime lufte në katër fshatra të Kosovës afër Pejës në prill dhe maj 1999, kur u vranë 118 shqiptarë etnikë.

Nëntë ish-ushtarë të akuzuar për zhvendosje të dhunshme dhe vrasje të civilëve shqiptarë etnikë gjatë sulmeve të Ushtrisë Jugosllave në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq gjatë luftës në Kosovë, iu drejtuan Gjykatës së Lartë të Beogradit të premten duke kërkuar pafajësi për akuzat.

Toplica Miladinoviç, i pandehuri i parë në aktakuzë, i cili akuzohet se urdhëroi sulmet, i tha gjykatës se ai nuk është fajtor dhe se nuk ishte i pranishëm në skenat e krimit.

“Dëgjova nga aktakuza për krimet”, i tha Miladinoviçi gjykatës.

Avokati i tij Goran Petronijeviç pretendoi se nuk ka prova të besueshme që Miladinoviçi urdhëroi sulmet në katër fshatrat afër qytetit të Pejës në prill dhe maj 1999.

“Dhënia e një urdhri vërtetohet nga prania personale e personit që e ka dhënë atë, ose nga dëshmia e marrjes së urdhrit, por ne po marrim prova nga dëshmi të dorës së dytë, të dorës së tretë, nga ritregime. Një urdhër gojor është i papranueshëm për sa i përket mënyrës se si funksiononte Ushtria Jugosllave”, tha Petronijeviç.

Çështja kundër Miladinoviçit ishte ndarë nga rasti kundër të pandehurve të tjerë për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore, por u ribashkua me çështjen kryesore të premten.

Duke pohuar pafajësinë e tij, i pandehuri Slavisa Kastratoviç tha në gjykatë se familja e tij jeton në Kosovë dhe se “nëse do të bëja ndonjë nga këto gjëra që thuhen në aktakuzë, familja ime nuk do të mund të jetonte në Kosovë”.

I pandehuri Boban Bogoceviç gjithashtu e mohoi fajin, por shprehu krenari që ka shërbyer në Ushtrinë Jugosllave. “Jam krenar që iu përgjigja atdheut dhe nuk pendohem kurrë që e bëra”, tha ai.

Të gjithë të pandehurit e tjerë thanë se nuk janë fajtorë.

Nëntë ish-anëtarët e Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave akuzohen për pjesëmarrje në sulmet që lanë të vrarë të paktën 118 shqiptarë etnikë.

Javën e kaluar, prokurori Bruno Vekariç kërkoi dënime me 20 vjet burg për të pandehurit Miladinoviç, Lazar Pavloviç, Abdulah Sokiç, Sinisa Misiç dhe Predrag Vukoviç. Ai kërkoi gjithashtu dënime me pesë vjet burg për Kastratoviçin, Bogiceviçin dhe Veljko Koricanin dhe tre vjet burg për Milan Ivanoviçin. Avokatët e tyre kërkuan lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata njoftoi të premten se vendimi në procesin gjyqësor maratonë do të jepet më 24 prill.

Ish-ushtarët dolën për herë të parë në gjyq në vitin 2010. Ata u dënuan fillimisht në 2014 dhe u dënuan me gjithsej 106 vjet burg, por gjykata e apelit e ndryshoi vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.

Rigjykimi është shoqëruar nga vonesa dhe shtyrje të përsëritura të seancave. Gjatë 12 muajve të fundit, ishin caktuar vetëm tetë seanca.

Tri nga këto seanca u shtynë për shkak se të pandehurit ose dëshmitarët nuk erdhën në gjykatë. //Balkan Insight