IPPR: OBSH dhe Kina mund të vepronin më shpejt kundër COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Kina kanë mundur të reagojnë më shpejt, menjëherë pas paraqitjes së sëmundjes COVID-19, që e shkakton coronavirusi i ri.

Kështu thuhet në raportin e dytë, të Panelit të Pavarur për Gatishmërinë dhe Reagimin ndaj Pandemisë (IPPR). Ky organ është themeluar nga OBSH-ja. Në Asamblenë e 73-të Botërore të Shëndetit në maj 2020, shtetet anëtare miratuan një rezolutë të rëndësishme që i bëri thirrje OBSH-së të fillojë një vlerësim të pavarur dhe gjithëpërfshirës të mësimeve të nxjerra nga reagimi shëndetësor ndërkombëtar ndaj COVID-19.

Sipas raportit të IPPR, një vlerësim i “fazës së hershme të shpërthimit, shfaqi shenja se duhej të veprohej më shpejt”.

Për herë të parë, coronavirusi u zbulua në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019 dhe shumë shpejt u shpërnda në tërë botën duke detyruar Organizatën Botërore të Shendetësisë që të shpall në fillim të vitit 2020 pandeminë e COVID-19.

Që atëherë, shtetet kanë zbatuar masa të ashpra të izolimit dhe ekonomitë e shumë vendeve janë dëmtuar rëndë. SHBA-ja, e ka akuzuar Kinën se ka fshehur informacionet për shkallën e të infektuarve si dhe ka bërë thirrje për një hetim “transparent” për origjinën e coronavirusit.

Kina pretendon se pavarësisht faktit se coronavirusi u paraqit për herë të parë në Vuhan, nuk do të thotë se ai domosdoshmërisht e ka origjinën aty.

Sipas Universitetit, Johns Hopkins, deri më 18 janar mbi 93 milionë njerëz janë infektuar me coronavirus, prej të cilëve mbi 2 milionë kanë vdekur./REL