IPK arreston një zyrtar policor për drogë

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor pasi i njëjti dyshohet se ka poseduar substanca narkotike.

Sipas komunikatës së IPK-së, zyrtari policor është i stacionit policor Jugu në Prishtinë. Të njëjtit zyrtar Gjykata Themelore në Prishtinë më parë i kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak (lidhur me një rast  ku zyrtari ishte i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare), ndërsa ky nuk e kishte respektuar.

Në komunikatë thuhet IPK kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që të verifikonte se a është duke e zbatuar masën e arrestit shtëpiak të lëshuar nga Gjykata Themelore Prishtinë, mirëpo zyrtarët policorë nuk kishin hasur në të dyshuarin e lartcekur në shtëpinë e tij e as në objektet përcjellëse.

Hetuesit e IPK-së më vonë janë njoftuar se i dyshuari është identifikuar dhe gjatë kontrollit i njëjti dyshohet se ka lëshuar në tokë një qese që dyshohet të jetë substancë narkotike e  llojit marihuanë.

Pas këtyre veprimeve,  zyrtari policor është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.