Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron vërshime dhe breshër për sot dhe nesër

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar mot jostabil të  shoqëruar me breshër si dhe rrezik për vërshime sonte dhe nesër.

IHMK përmes një njoftimi ka theksuar se rreziku për vërshimet është tek zonat verilindore të vendit.

“Vendi ynë do të vazhdoj të mbetet nën ndikimin e masave të paqëndrueshme ajrore, duke krijuar kushte për mot jostabil të shoqëruara me erëra, reshje shiu dhe rrezik për breshër. Ky sistem frontal me erëra dhe shkarkime rrufesh, parashihet të godas pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ndryshueshëm, por që stuhitë parashihen në zona më të kufizuara, kryesisht në verilindje të vendit, të cilat mund të thithin sasi të konsiderueshme të reshjeve, gjë që këto zona rrezikohen nga vërshimet e shpejta”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij instituti kjo situatë e paqëndrueshme meteorologjike parashihet sonte dhe nesër (të mërkurën), ndërsa nga dita e enjte parashihet përmirësim i kushteve atmosferike.

“Sa i përket temperaturave në të dy vlerat ekstreme, nuk parashihet të ketë ulje të ndjeshme, minimalet nga 15-17, ndërsa temperaturat maksimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 24-27 gradë Celsius. Do të ketë erë nga drejtimet e ndryshme, por më i theksuar do të jetë drejtimi i veriperëndimit, shpejtësia e së cilës herë-herë mundë të arrijë mbi 17m/s”, vazhdon tutje komunikata.