India pezullon vizat për kanadezët pasi grindjet ndërmjet dy vendeve përshkallëzohen

India e ka ndaluar lëshimin e vizave për qytetarët kanadezë pas një mosmarrëveshjeje me Kanadanë që ndërlidhet me  vrasjen e një separatisti sikh në tokën kanadeze.

India zyrtare ka thënë se ky vendim është i përkohshëm vjën për shkak të “kërcënimeve të sigurisë” që pengonin punën në misionet e saj në Kanada.

Tensionet u ndezën këtë javë pasi kryeministri Justin Trudeau tha se India mund të ketë qenë prapa vrasjes së 18 qershorit.

Mirëpo Trudeau tha të enjten se nuk po kërkon të provokojë Indinë me akuzat.

India e ka hedhur poshtë me plot zemërim akuzën, duke e quajtur atë “absurde”.

Duke folur para gazetarëve në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Trudeau tha se “nuk ka dyshim që India është një vend me rëndësi në rritje dhe një vend me të cilin duhet të vazhdojmë të punojmë”.

Ai tha se Kanadaja nuk po kërkon ta provokojë Indinë ose të shkaktojë probleme me akuzën, por është e qartë për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e kanadezëve.

Marrëdhëniet midis vendeve – partnerëve kryesorë të tregtisë dhe sigurisë, dhe aleatëve të SHBA-së – janë tensionuar për muaj të tërë. Analistët thonë se tani janë në nivelin më të ulët në histori.

Qeveria e Indisë e bëri të qartë menjëherë se pezullimi i shërbimeve të vizave “zbatohet edhe për kanadezët në një vend të tretë”.

“Ka pasur kërcënime ndaj komisionit tonë të lartë [ambasadës] dhe konsullatave në Kanada”, tha një zëdhënës i ministrisë së punëve të jashtme në Delhi. “Kjo e ka ndërprerë funksionimin e tyre normal. Prandaj [ata] nuk janë në gjendje t’i përpunojnë përkohësisht aplikimet për viza”.

Sipas zëdhënësit të lartcekur “India po kërkon barazi në gradë dhe forcë diplomatike midis misioneve diplomatike të dy vendeve. Kjo po kërkohet për shkak të ndërhyrjes diplomatike kanadeze në punët tona të brendshme”.

Disa orë më parë Kanadaja kishte njoftuar se po e redukton personelin e saj në Indi, duke thënë se disa diplomatë kishin marrë kërcënime në mediat sociale.

“Në dritën e situatës aktuale ku tensionet janë rritur, ne po ndërmarrim veprime për ta garantuar sigurinë e diplomatëve tanë”, thuhet në një deklaratë.

Shërbimet e vizave të Kanadasë mbeten të hapura në Indi.

Të dy vendet kanë lidhje të ngushta historike.

Kanadaja ka 1.4 milionë njerëz me origjinë indiane – më shumë se gjysma e tyre Sikh – që përbëjnë 3.7% të popullsisë së vendit, sipas regjistrimit të vitit 2021. India gjithashtu dërgon numrin më të madh të studentëve ndërkombëtarë në Kanada – në vitin 2022, ata përbënin 40% të totalit të studentëve jashtë shtetit me 320,000 sosh.

Sipas statistikave të qeverisë indiane, rreth 80,000 turistë kanadezë e vizituan Indinë në vitin 2021, pas SHBA-së, Bangladeshit dhe Mbretërisë së Bashkuar./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala