Zyrtarë të Policisë në një aksion - Foto: Policia e Shtetit (foto arkiv)

I shpalluri në kërkim ndërkombëtar arrestohet për ekstradim në Itali

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar nga Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Interpol Tirana.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana bënë të mundur lokalizimin në rrugën “Muhamet Deliu” dhe arrestimin provizor të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar A. K., 28, vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka bërë të ditur se k shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Livornos në Itali, ka lëshuar urdhër arresti për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Sipas policisë, ky shtetas në periudhën kohore 2017-2018, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka trafikuar për në Piza, Itali ,një sasi të madhe hashashi.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.