
Foto: KALLXO.com
Helmimi në Malishevë, gjendja e 12 pacientëve që po trajtohen në QKUK
Drejtori i për Shëndetësi në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha ka thënë se në Klinikën Infektive në Prishtinë po trajtohen 12 pacientë që dyshohet se u helmuan sot në një lokal të ushqimeve.
Sipas njoftimit të komunës, gjendja e pacientëve aktualisht është stabile.
Ndërsa është bërë e ditur se numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Malishevë është 39.
“Pas orës 21:00, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Hajdin Berisha, i shoqëruar nga drejtori i QKMF-së, Afrim Krasniqi dhe asamblistët Valon Mazreku dhe Halil Morina i kanë vizituar pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë. Sipas drejtorit Berisha, bazuar edhe nga të dhënat e klinikës, gjendja e pacientëve është stabile dhe janë duke u trajtuar nga personeli i klinikës”- thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se të gjitha ekipet relevante janë të mobilizuar për menaxhimin e situatës dhe personeli shëndetësor në QKMF është në gatishmëri të plotë për të ofruar shërbimet e nevojshme.
Mbi 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë familjare në Malishevë.
Sipas Policisë, të njëjtit dyshohet se janë helmuar si pasojë e ngrënies së ushqimit në një lokal ku shërbehen ushqime të shpejta.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj për KALLXO.com ka thënë se lokali është mbyllur përkohësisht.
Ai ka njoftuar se në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar pronari i lokalit.