Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu

Haxhiu për votat me postë të LDK-së: PZAP dhe Supremja i mbyllën sytë përball këtij krimi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme refuzuan qëllimisht të kryenin detyrat e tyre lidhur me votimin me postë.

Ajo ka thënë se Prokuroria duhet të veprojë me urgjencë dhe të zgjerojë hetimet edhe ndaj anëtarëve të Kryesisë së LDK-së.

“PZAP dhe Gjykata Supreme e kanë pasur për detyrë ruajtjen e vullnetin të qytetarëve, megjithatë, ndonëse ishin të vetëdijshëm për skemën kriminale përmes votave me postë, ata refuzuan qëllimisht të kryenin detyrat e tyre. Ata mbyllën sytë përballë këtij krimi. Prokuroria duhet të veprojë me urgjencë dhe të zgjerojë hetimet edhe ndaj anëtarëve të Kryesisë së LDK-së dhe ndaj ekipit të përfshirë në këtë skemë kriminale dhe të sjellë para drejtësisë çdo person të përfshirë në këtë krim”- ka shkruar ajo.

Lëvizja Vetëvendosje, më 27.03.2025, ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme, e cila më 26.03.2025 refuzoi ankesën e kësaj partie ndaj një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) në lidhje me votimin përmes postës.

LVV, gjithashtu ka kërkuar edhe masë të përkohshme ndaj vendimit të Supremes.

Kjo parti ka kërkuar anulimin e rreth 19 mijë votave me postë të fituara nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke e akuzuar këtë të fundit për manipulim me vota.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte hedhur poshtë më 19.03.2025 kërkesën e LVV-së për anulimin e votave me postë të fituara nga LDK-ja dhe shkuarjen në rivotim me postë.

Reagimi i fundit i Haxhiut ka ardhur pas publikimit të mesazheve në WhatsApp mes anëtarëve të Kryesisë së LDK-së, ku flitet për manipulimin me vota.

Në komunikimet e publikuara nga Reporteri.net, janë mesazhet e Kujtim Shalës, Arben Gashit, Armend Zemajt dhe Avdullah Hotit.

Gashi në komunikimin e publikuar nga ky portal këmbëngul se ka pasur vjedhje të votave dhe insiston që skemës, që sipas tij, u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”.

LVV-ja i drejtohet Kushtetueses, kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Supremes për votat me postë