Haxhiu për Projektligjin për femicidin: E pamjaftueshme një nen i veçantë në Kodin Penal

Ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu, një ditë pasi grupi punues ka inicuar hartimin e Projektligjit për Femicidin,  ka thënë sot (05.06.2024) se është e pamjaftueshme që të ketë një nen të veçantë në Kodin Penal për femicidin, por se kanë vlerësuar se duhet të ketë një ligj që adreson të gjitha detajet lidhur me të.

“Ne e kuptojmë që ne kemi nene të  ndryshme në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, megjithatë edhe në një analizë që është bërë nga vet Gjykata Kushtetuese është vlerësuar se në asnjë prej rasteve që kanë pasur për studim nuk është përmendur si rrethanë rënduese si femicid, pra vepra që është kryer nuk i është referuar si femicid.”

“Edhe në kuadër të grupit ndërministror  kundër dhunës në familjë si koordinatore nacionale, në planin e punës ne e kemi paraparë që do të bëjmë ndryshime lijore që do adreasojnë femicidin. Kemi vlerësuar që të kemi jo një nen të vecantë në Kodin Penal si femicid, por që ta hartojmë një ligj i cili në detaje i ka të specifikuara çështjet që ndërlidhen me këtë aspekt.” – tha ministrja Haxhiu më 05.06.2024.

Ajo shtoi tutje se është tejet optimiste se do të dalë një projektligj përmbajtësor për femicidin.

“Konsideroj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi një bazë të fortë ligjore. Unë mendoj që është e rëndësishme të adresohet secila përgjegjësi, secila politikë institucionale. I kemi pa disa vende që e kanë të rregulluar këtë çështje, disa e kanë në kodet e tyre penale, disa kanë ligje të veçanta, por kemi vlerësuar që përmes një neni të veqantë  në Kodin Penal do të ishte pamjaftueshme, prandaj kemi vlerësuar që ta bëjmë një ligj për femicidin. Ne ende nuk e kemi një draft të parë  sepse siç e përmenda dje ka qenë takimi i parë i grupit punues. Jam shumë optimiste që do të mbërrijmë  në një draft shumë shpejt, në një draft përmbajtësor që do të adresojë detajet për të cilat pyetet, mirëpo tani jemi në fazën fillestare dhe nuk mund të jap më shumë detaje.” – shtoi Haxhiu.

Ndër të tjera ajo u deklaruaedhe lidhur me çështjen e publikimit të emrave të të dënuarëve për dhunë në familje, duke thënë se këtë çështje e ka adresuar tek Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Ne jemi zotuar që emrat e dhunuesve do të publikohen. Ne këtë zotim e kemi përmbushur, siç e dini në Lgjin për evidencat penale tashmë është adresuar kjo cështje. Unë kam kërkuar nga Këshilli Gjyqësori ta adresojë përgjegjësinë që ka, që rrjedh ky ligj, mirëpo kjo ende nuk ka ndodhur. Sipas njoftimeve këta janë në përgatitje edhe në planifikim të akteve nënligjore se cilat të dhënat duhet të publikohen, çka përmbajnë, çka janë të dhënat që mund të publikohen, sipas njoftimeve tashmë janë në përgatitje të kësaj sepse konsiderohet që ka nevojë për një akt nënligjor që përmbush detyrimin që del nga ligji” – tha ministrja Haxhiu.

Ministrja paralajmëroi edhe publikimin e një raporti lidhur me disa analiza që janë bërë në raport me raste të dhunës në familje dhe femicidit, e për të cilin tha se do të publikohet shumë shpejt.

Për fund, ajo theksoi se nuk mund ta “fitojë luftën e vetme si Ministri” kundër këtyre fenomeneve, por se sipas saj duhet një bashkim gjithë-institucional në mbrotjen e jetës së vajzave dhe grave të Kosovës.

“E thash edhe njëherë përkushtimi jonë është i madh, mirëpo si Ministri e Drejtësisë të vetëm nuk mund ta fitojmë luftën kundrejt këtyre fenomeneve, prandaj na duhet një përbashkim forcash dhe një përjekje gjithë-insitucionale që të mbrojmë jetën e vajzave dhe grave të Republikës së Kosovës.” – përfundoi Haxhiu.

Ministria e Drejtësisë përmes një njoftimi më datë 04.06.2024 në rrjetin social “Facebook” kishte njoftuar se ka iniciuar hartimin e Projektligjit kundër femicidit.

Sipas kësaj Ministrie, Kosova është shteti i parë në rajon që po bën një gjë të tillë.

Në këtë njoftim thuhet se kjo inciativë ka për qëllim fuqizimin e legjislacionit me dispozita të qarta dhe të ashpra kundër femicidit.

Kosova është tronditur vitet e fundit nga vrasja e dhjetëra grave nga të dyshuarit, bashkëshortët apo ish-partnerët e tyre.

Definicioni i femicidit

Aktualisht, Kosova nuk ka një përkufizim ligjor mbi femicidin.

Sipas raportit të UNDP-së, përkufizim të femicidit ka dhënë Instituti Europian për Barazi Gjinore (EIGE), të cilin përkufizim e ka ndarë në dy lloje; sipas përkufizimit të përgjithshëm (i mbështetur në Deklaratën e Vjenës) dhe përkufizimit statistikor.

Sipas EIGES, termi femicid shënon “vrasjet e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre, të kryera dhe toleruara nga aktorë privatë dhe publikë. Përfshin vrasjet e grave si pasojë e dhunës nga partneri intim, torturës dhe vrasjet mizogjene të grave, vrasjet e grave dhe vajzave në “emër të nderit” dhe vrasjet si pasojë e praktikave tjera të dëmshme, vrasjet e targetuara të grave dhe vajzave gjatë konflikteve të armatosura dhe rastet femicide që kanë lidhje me bandat, krimin e organizuar, shitësit e drogës dhe trafikimin me gra dhe vajza.”

Ndërsa sipas përkufizimit statistikor përfshin “vrasjen e një gruaje nga një partner intim dhe vdekja e një gruaje si rezultat i një praktike që është e dëmshme për gratë. Partneri intim kuptohet si një bashkëshort ose partner i dikurshëm ose aktual, pavarësisht nëse autori ka apo ka ndarë të njëjtën banesë me viktimën“.

Deklarata e Vjenës (e OKB-së) e përkufizon femicidin në këtë mënyrë:

“Vrasja e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre, e cila mund të marrë formën, ndër të tjera, të: (1) vrasjes së grave si rezultat i dhunës nga partneri intim; (2) torturimi dhe vrasja e grave nga mizogjeni (3) vrasja e grave dhe vajzave në emër të “nderit”; (5) vrasja e synuar e grave dhe vajzave në kontekstin e konfliktit të armatosur; (5) vrasjet e grave për shkak të prikës; (6) vrasja e grave dhe vajzave për shkak të orientimit të tyre seksual dhe identitetit gjinor; (7) vrasja e grave dhe vajzave aborigjene dhe indigjene për shkak të gjinisë së tyre; (8) femijëvrasja e foshnjave femërore dhe fetusi i përzgjedhjes së seksit me bazë gjinore; (9) vdekjet e lidhura me gjymtimin gjenital; (10) akuza për magji; dhe (11) femicide të tjera të lidhura me bandat, krimin e organizuar, tregtarët e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe përhapjen e armëve të vogla”.