Han i Elezit, 4 të arrestuar për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit

Policia e Kosovës ka arrestuar 4 persona të dyshuar për veprën penale – nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.

Rasti ka të bëjë me djegien e bredhit të Vitit të Ri në oborrin e Komunës së Hanit të Elezit dhe afishet me mbishkrimin “Viti i ri nuk është festë e jona, mos festo festat e jo myslimanëve” në qytezë.

Policia ka njoftuar se sot rreth orës 2:20, stacioni policor në Han të Elezit ka pranuar një informatë se bredhi i Vitit të Ri, i vendosur në oborrin e Komunës së Hanit të Elezit ishte kapluar nga flaka.

Patrulla e Policisë ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që një ekip i zjarrfikësve kishte lokalizuar zjarrin.

Policia njofton se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe fillimisht ishte iniciuar një rast për hetim – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Kurse, rreth orës 9:30 policët patrullues në Han të Elezit kanë vërejtur se në disa rrugë të qytezës ishin vendosur disa afishe me mbishkrimin “Viti i ri nuk është festë e jona, mos festo festat e jo myslimanëve’’ dhe për këtë Policia në koordinim me prokurorin kishte nisur hetimet për veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit.

Në të dy rastet janë kyçur edhe hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë, të cilët nën autorizim të prokurorit kanë marrë veprime shtesë të hetimeve.

Pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, rreth orës 17:00 Policia ka arritur të identifikojë e më pas të arrestojë katër persona të dyshuar, të cilët janë shoqëruar në stacionin e Policisë.

Sipas njoftimit, pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit nga Prokuroria e Ferizajt,  tre persona të dyshuar janë ndaluar në mbajtje, ndërsa një person është liruar për procedurë të rregullt hetimore, me dyshimin se kanë kryer veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit.