Ilustrim: Nigeri

Grushtshteti në Niger është sfida më e madhe e Afrikës Perëndimore deri më tani

Afati i fundit i ECOWAS të dielën për ta rikthyer presidentin e Nigerit mund të jetë shkëndija fillestare për një luftë në të gjithë Afrikën Perëndimore.

Ashtu sikurse çdo marrëdhënie e vështirë, angazhimi i shkërrmoqur i Nigerit ndaj Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) po përfundon me një ultimatum: Ose rikthejeni Presidentin e Nigerisë së zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Bazoum ose përballuni me ndërhyrjen ushtarake. Çuditërisht, asnjëra palë nuk është e gatshme tapranojë pushtetin në këtë ndarje.

Tensionet shpërthyen më 26 korrik, kur gjenerali Abdourahamane “Omar” Tchiani dhe forcat e tij të udhëhequra nga junta rrëzuan Bazoumin dhe morën kontrollin e pallatit presidencial. Më pak se 24 orë më vonë, ECOWAS, një grupim i shteteve të Afrikës Perëndimore, e dënoi grushtshtetin. Ky grup vendosi një fushatë të rreptë sanksionesh ekonomike kundër Nigerit, duke i pezulluar transaksionet e tij me vendet fqinje dhe duke i ngrirë asetet e bankës qendrore rajonale të Nigerit. ECOWAS po ashtu vendosi gjithashtu për sanksione udhëtimi ndaj Nigerit – një veprim veçanërisht i dëmshëm duke qenë se mund ta pengojë dhënien e ndihmës së huaj, e cila përbën 40 për qind të buxhetit kombëtar të Nigerit.

Më e rëndësishmja, ECOWAS u zotua t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme për ta rivendosur rendin kushtetues” në Niger, duke përfshirë përdorimin e forcës. Afati i fundit është të dielën. Është një hap i madh për rajonin, një hap që përqafon precedentin, ndërkohë që sfidon pritshmëritë. Dhe mund të jetë shpresa (ose kashta) e fundit përpara se konflikti ndërkufitar të shpërthejë në të gjithë Afrikën Perëndimore.

Çfarë është ECOWAS?

I krijuar në vitin 1975, blloku 15-vendesh u themelua për ta “promovuar integrimin ekonomik në të gjithë rajonin”. Parimet e tij përqendrohen rreth krijimit të një njësie të vetme tregtare, të ngjashme me politikat nën Bashkimin Evropian, që promovon qeverisjen demokratike dhe bashkëpunimin nënrajonal. Në këtë mënyrë, ai është para së gjithash një subjekt ekonomik, jo ushtarak apo politik.

Megjithatë, ECOWAS ka disa tentakula në vete. Ai ka dy protokolle mbrojtëse që thonë se çdo kërcënim kundër një shteti anëtar konsiderohet një kërcënim kundër komunitetit më të madh. Dhe ka mbledhur trupa për të ndërhyrë në të kaluarën. Pra, kur paqëndrueshmëria tronditi Nigerin, vendin e shtatë në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore që pësoi një grushtshteti në vitet e fundit, ECOWAS e pa ndërhyrjen si pjesë të misionit të saj më të gjerë për ta mbështetur dhe mbrojtur Afrikën Perëndimore, shpjegon Cameron Hudson, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Ekziston një ndjenjë e përbashkët midis një grushti, jo të gjithëve, por sigurisht një numri vendesh që kanë frikë nga një efekt ngjitës i grushtshteteve në rajon,” thotë Hudson. Për ta, ankthi përqendrohet në “efektet dytësore dhe terciare të lejimit të një vargu grushtshtetesh të pakontrolluara dhe t’i shohin grupet xhihadiste që përhapin kërcënimin e ndërhyrjes ruse”.

Por çfarë mund të bëjë në të vërtetë ECOWAS?

Askund në misionin e ECOWAS nuk thotë se ky bllok e ka fuqinë për të vendosur trupa ose për të ndërhyrë në proceset politike të një vendi tjetër. Dhe për 15 vitet e para të ekzistencës së saj, nuk e bëri një gjë të tillë. Por më pas ndodhi rasti me Liberinë. Në vitin 1990, lufta civile e rrënoi këtë vend bregdetar pasi Fronti Patriotik Kombëtar i Liberisë, i udhëhequr nga Charles Taylor, e rrëzoi presidentin e atëhershëm Samuel Doe në një konflikt që filloi në dhjetor të vitit 1989. Nga frika e rritjes së flukseve të refugjatëve dhe humbjes së investimeve të huaja në Afrikë, ECOWAS ndërmori hapin e paprecedentë të dërgimit të forcave paqeruajtëse në Liberi. Ato trupa ndihmuan në themelimin e një qeverie të përkohshme, krijimin e kushteve për zgjedhje të reja, lirimin e të burgosurve politikë dhe nxitjen për një armëpushim. Duke vepruar kështu, ajo formoi një organ ad hoc që mund të vendoste trupa në territorin e një vendi tjetër, duke e ripërcaktuar kështu përkufizimin tradicional të sovranitetit të Bashkimit Afrikan.

Që atëherë, ECOWAS ka dislokuar trupa paqeruajtëse në Sierra Leone, Guinea-Bissau, Bregun e Fildishtë, Liberi (për herë të dytë), Mali dhe Gambi. Disa nga këto misione vendosën marrëveshje paqeje; të tjerët nuk arritën të mbanin armëpushime të qëndrueshme, thotë Rama Yade, drejtor i lartë i Qendrës Afrikane të Këshillit Atlantik. “Ata kanë një histori të gjatë ndërhyrjesh, jo gjithmonë ushtarake. Dhe ato mbështeten nga një kornizë ligjore shumë e fortë që i detyron anëtarët të bëjnë diçka kur parimet e tyre bazike goditen nga tranzicionet jodemokratike ose grushtshtetet.”

Nigeria dhe Senegali, të paktën, kanë thënë tashmë se do të kontribuojnë me trupa për çdo ndërhyrje në Niger. Por asnjë nga misionet e kaluara të ndërhyrjes së ECOWAS nuk është përballur me një krizë aq kërcënuese për stabilitetin rajonal sa ajo në Niger. Dhe kjo për shkak të dy shteteve anëtare të ECOWAS, Malit dhe Burkina Fasos.

Pra, jo të gjithë janë të kënaqur me veprimet e ECOWAS?

Jo. Si Mali ashtu edhe Burkina Faso janë anëtarë të ECOWAS. Ata janë gjithashtu fitues të fundit të lotarive të tyre për grushshtet. Të dy këto vende së bashku njoftuan më 31 korrik se çdo ndërhyrje e huaj në Niger për ta rrëzuar Tchianin do të konsiderohej një “shpallje lufte” kundër vendeve të tyre. Kjo do të thotë se nëse ECOWAS do të dislokonte trupa, mund t’i nevojitet të luftojë jo vetëm rebelët e juntës nigeriane, por edhe forcat Maliane dhe Burkinabe me eksperiencë në fushëbeteja ushtarake.

Të trija vendet kanë shumë të përbashkëta: të gjithë ushqejnë ndjenja të nxehta anti-franceze mbi të kaluarën e tyre të përbashkët koloniale. Të gjithë duke qenë në Sahel, përballen me rreziqe të ngjashme mjedisore dhe të sigurisë, përfshirë rreziqe nga grupet terroriste si Al Kaeda dhe Boko Haram. Dhe, më e rëndësishmja, të gjitha ato udhëhiqen nga qeveritë e udhëhequra nga junta që erdhën në pushtet gjatë grushtshteteve në dy vitet e fundit. Dhe pastaj janë aty rusët.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, e fajësoi Kremlinin për nxitjen e grushtshtetit të Nigerit, duke treguar në mënyrë specifike grupin paraushtarak të Rusisë ëagner pasi një gjeneral i juntës nigeriane e vizitoi Malin, aleatin e ëagnerit, të mërkurën. Burkina Faso gjithashtu është nikoqir i forcave ëagner dhe shefi i ëagner-it Yevgeny Prigozhin e festoi grushtshtetin javën e kaluar, duke thënë se trupat e tij mund të ndihmojnë në situata si ajo që është shpalosur në Afrikën Perëndimore. Mirëpo një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane tha se nuk ka prova për ndërhyrje të jashtme në grushtshtet.

Nigeri ishte një nga shtetet e fundit në rajon që po bashkëpunonte seriozisht me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore për operacionet kundër terrorizmit. Nëse Nigeri shkon në të njëjtën mënyrë si qeveritë me prirje nga Rusia në Sahel, ky do të ishte një lajm i keq për Uashingtonin, Parisin dhe Brukselin – për të mos i përmendur banorët që do ta shkëmbejnë një demokraci të dobët me një diktaturë të tmerrshme ushtarake.

Kjo është hera e parë që ECOWAS përballet me një ndarje të tillë midis shteteve të saj anëtare dhe kjo përbën një sfidë të rëndë për autoritetin e saj rajonal. Hera e fundit që ky kërcënim u bë ishte në vitin 2017 në Gambia, dhe ky ishte një kërcënim i besueshëm sepse Gambia ishte vendi më i vogël në Afrikën Perëndimore me ushtrinë më të vogël në Afrikën Perëndimore.”

Por Nigeri është i madh dhe ka një ushtri të madhe. “Unë duhet të besoj se ky është një bllof,” vazhdon Hudson, “sepse nëse nuk është një bllof dhe ata do t’ë vazhdojnë me këtë [ndërhyrje], nuk ka asnjë mënyrë të qartë që kjo të ndodhë pa viktima masive civile dhe frikë të një konflikti rajonal në rritje.”

A e mbështet dikush kërcënimin e ndërhyrjes së ECOWAS?

Bazoumi është (pa çudi) avokati më i fortë i ECOWAS. Presidenti i rrëzuar i përgëzoi veprimet e ECOWAS në një shkrim të ëashington Post të enjten, duke shkruar se “Në rajonin e trazuar të Sahelit të Afrikës, Nigeri qëndron si bastioni i fundit i respektit për të drejtat e njeriut në mes të lëvizjeve autoritare që kanë pushtuar disa nga fqinjët tanë”.

Por Bazoumi nuk është i vetmi që po e aplaudon pozicionimin e ashpër të ECOWAS. Komuniteti ndërkombëtar e ka mbështetur në masë të madhe largimin e rebelëve të Nigerit. Shtetet e Bashkuara, Franca dhe vendet e tjera perëndimore e kanë mbështetur të gjithë vendimin e organit nënrajonal dhe u kanë kërkuar udhëheqësve të juntës që ta rikthejnë Bazoumin në pozitën e tij . Ministri i Jashtëm britanik James Cleverly tha të mërkurën se ai ka folur me presidentët e Ganës dhe Nigerisë për ta demonstruar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për ECOWAS. Madje edhe ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e ka quajtur grushtshtetin një “akt antikushtetues”.

Asnjëra palë nuk duket e gatshme të tërhiqet. Pra, çfarë mund të shohim kur skadon afati i së dielës?

Të gjithë sytë janë të kthyer nga Nigeria për të parë nëse ECOWAS po përballet me kërcënimin e saj. Presidenti nigerian Bola Ahmed Tinubu aktualisht shërben si kryesues i ECOWAS dhe duket entuziast për ta përdorur ndërhyrjen ushtarake për ta demonstruar forcën e tij. Tashmë, raportet tregojnë se trupat nigeriane nën mandatin e ECOWAS janë të vendosura pranë kufijve të Nigerit. Senegali gjithashtu ka premtuar të furnizojë ushtarë nëse ECOWAS zhvendoset në Niger, duke pranuar se “grushtshtetet duhet të ndalen” edhe pse ECOWAS pohon se ndërhyrja ushtarake është zgjidhja e fundit.

Mirëpo rruga drejt fitores është e vështirë. Infrastruktura e Nigerit është e mbushur me rrugë të keqndërtuara. Shto këtu mundësinë e luftimeve ushtarake me forcat nigeriane (dhe potencialisht me forcat Maliane dhe Burkinabe) dhe ECOWAS do ta ketë nisur një luftë ndërshtetërore. (Ka gjithashtu shumë xhihadistë, dhe ndoshta një prani mercenarësh rusë, që duhet përballur.) Dhe kjo është e gjitha përpara se trupat e ECOWAS të arrijnë në kryeqytet, ku duhet të rimarrin pallatin presidencial pa lënduar pengun nr. 1 të rebelëve brenda: Bazoumin.

ECOWAS dhe Nigeria “do të humbasin shumë kredibilitete” nëse nuk e përballojnë kërcënimin e tyre, diçka që ky grup e kishte mangut, për të filluar, thotë Nathaniel Kinsey Powell, analist i Afrikës Perëndimore në Oxford Analytica. 

“Edhe në skenarin më të mirë të ECOWAS, duke supozuar se ata ndërhyjnë ushtaraksiht, duke supozuar se do të futen në Niger, ata të përballen me një problem politik që është pothuajse i pazgjidhshëm, që ata po e mbështesin një president që nuk do të ketë legjitimitet të brendshëm dhe do të të detyrohet t’i spastrojë forcat e tij të sigurisë.”/Foreign Policy

Alexandra Sharp është shkrimtare e ëorld Brief në Foreign Policy. 

Përgatiti: Nuhi Shala