Lumi Vjosa në Shqipëri - Foto: Facebook/LumiVjosa

Greqia dhe Shqipëria bien dakord për të kthyer lumin Vjosa në një park ndërkufitar

Ministritë shqiptare dhe greke të Mjedisit kanë rënë dakord që të punojnë së bashku për të krijuar parkun e parë ndërkufitar të lumit Vjosa që përshkon të dy vendet.

Qeveria shqiptare nga ana e saj është angazhuar së fundmi për të shpallur brenda këtij viti rrjedhën e lumit Vjosa me degët e saj në territorin shqiptar, një Park Kombëtar .

Si në anën greke dhe atë shqiptare shqetësimet e organizatave mjedisore janë lidhur vecanërisht me projekte të devijimit të rrjedhës së lumit Vjosa dhe projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve.

Lumi Vjosa ka një gjatësi prej rreth 272 km , prej të cilave 80 km në territorin grek dhe rreth 192 km brenda territorit shqiptar dhe konsiderohet “lumi i fundit i egër i Evropës” për shkak të mosndërtimit të veprave hidrike në rrjedhën e lumit./VOA