Grafite në Prishtine për rastin e 11 vjeçares

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist më 28.02.2025 ka zhvilluar një aksion me grafite në komunën e Prishtinës.

“Kultura e përdhunimit o armiku jonë”, “Për çikat në Kosovë çdo ditë është luftë”,”QPS është bashkëfajtore për përdhunimin e çikave”, janë disa nga mbishkrimet.

Ky aksion vie pas raportimit se e mitura 11 vjeçare e cila ishte dhunuar në vitin 2022, dyshohet se është dhunuar edhe nga shtatë persona të tjerë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist thotë se dhunimi i shumëfishtë i të miturës jep kronika të përsëritura të të rriturit e jetuarit në Kosovë si vajzë e grua.

“Dhunimi i shumëfishtë i saj na jep kronika të përsëritura të të rriturit e jetuarit në Kosovë si vajzë e grua. Na tregon se për shumë çika e gra çdo ditë këtu është gjendje lufte. Luftë që i shpallet çikave e grave nga patriarkaliteti që normëzon dhunën e prodhon djem e burra dhunues. Kultura e përdhunimit është rrënjosur thellë dhe në këtë heshtje kriminale, çikat në Kosovë mbeten pa drejtësi, pa siguri, pa shpresë!”- thuhet në reagim.

Kolektivi thotë se përmes këtij aksioni po denoncojnë shtetin teksa kanë bërë thirrje për organizimit që siç thuhet në reagim, “ për t’i bërë ballë kësaj dhune të të gjinizuar që lëshohet mbi trupat tanë nga burra dhunues e një zinxhir institucionesh shtetërore e jo shtetërore”.

“Megjithatë neglizhimit institucional, klimës së pasigurisë, ankthi kolektiv e pashpresshmërisë i kundervihemi me këmbgënguljen tonë për çlirim e drejtësi. Përmes parullave të lëna rrugëve të Prishtinës ne denoncojmë shtetin për dhunë dhe thërrasim për organizim për t’i bërë ballë kësaj dhune të të gjinizuar që lëshohet mbi trupat tanë nga burra dhunues e një zinxhir institucionesh shtetërore e jo shtetërore. Sonte e çdo ditë tjetër ne thërrasim në mobilizim e rezistencë radikale. Ftojmë të qendrojmë të vëmendshme/ë e krah për krah në përpjekjen tonë për çlirim nga patriarkaliteti që përdhunon, dhunon e frikëson çika e gra kudo në Kosovë”- theksohet tutje në komunikatë.

Ndonëse Prokuroria kishte arritur t’i akuzonte dy grupe për dhunimin e 11 vjeçares – rast i cili kishte ndodhur në vitin 2022 – tashmë Prokuroria është duke zhvilluar procedurë penale edhe ndaj 7 personave tjerë të dyshuar.

Tre prej tyre ua ka caktuar tashmë masën e paraburgimit, kurse për katër të tjerë të dyshuar për këtë rast e kanë mbajtur seancën dëgjimore për këtë rast sot, më 28.02.2025.

KALLXO.com mëson se seanca ka qenë e paraparë të mbahet të premten, më 28.02.2025, nga ora 09:30 dhe u konfirmua se seanca ka përfunduar.

Sipas përgjigjes së Prokurorisë, tre persona janë duke u dyshuar për “dhunim”, kurse 2 prej tyre dyshohen për “trafikim me njerëz”, si dhe dy persona po dyshohen për “shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tre (3) personave të dyshuar për veprën penale, ndërsa sot më 28.02.2025 po mbahet seanca dëgjimore prej orës 9:30 minuta kundër katër (4) personave të dyshuar për veprën penale. Personat të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale janë: tre (3) persona për veprën penale ‘dhunimi’, dy (2) persona për veprën penale ‘trafikimi me njerëz’, si dhe dy (2) persona për veprën penale ‘shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Prishtinës.

Për rastin e dhunimit të 11-vjeçares Gjykata e Prishtinës kishte zhvilluar dy procedura penale të ndara.

Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke ua ulur dënimin me burgim 4 të akuzuarve (grupit të parë), për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Gjykata e Prishtinës me Aktgjykimin e shpallur më 31.05.2024 të pandehurin Ekrem Rexhepi e kishte dënuar me 14 vjet dënim me burg, kurse tre të miturit G. R., G. J. dhe Xh. S., me nga 7 vjet burgim secili veç e veç. Kurse, për të akuzuarin e pestë, Shkëlqim Kamberin, rasti ishte veçuar.

Ndërsa, Gjykata e Apelit më 12.11.2024 ka ndryshuar Aktgjykimin e Themelores, me ç’rast të akuzuarit Ekrem Rexhepit ia ka ulur dënimin me 14 vjet burg në 10 vjet burg.

Ndërsa, 3 të miturve të akuzuar në këtë rast G. R., G. J. dhe Xh. S., nga 7 vjet burg secilit Apeli ua ka ulur dënimin me nga 5 vjet secilit.

Rasti i dhunimit të të miturës: Prokuroria prangos edhe 7 persona të tjerë