Gjykimi ndaj dy zyrtarëve që dyshohen se lëshuan rreth 435 mijë banderola të barnave në mënyrë të paligjshme | Foto: KALLXO.com

Gjykimi ndaj dy zyrtarëve që dyshohet se lëshuan në mënyrë të paligjshme 435 mijë banderola të barnave

Ka vazhduar gjykimi ndaj Bersan Kolgecit dhe Ilir Dushit, të cilët po akuzohen për keqpërdorim detyre sepse si zyrtarë të Agjencisë për Produkte Medicinale dyshohen se kishin lëshuar banderola për kompaninë “Prima Pharm” të cilës i mungonte një certifikatë e nevojshme për prodhim.

Të njëjtit po akuzohen nga Prokuroria që si persona zyrtarë në AKPPM lëshuan 435 mijë e 124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”.

Sot në para gjykatës ka dhënë versionin e tij dëshmitari S.T., atë kohë drejtor i administrimit të buxhetit dhe financave.

S.T. dëshminë e tij e nisi duke treguar detyrat dhe përgjegjësitë e tij të cilat ishin menaxhimi i buxheti dhe Financat, ekzekutimi i buxhetit, mbikëqyrja e menaxhimit te resurseve humane, logjistika etj.

Ndërkaq  me një vendim të lëshuar nga krye shefi i atëhershëm, ai ishte ngarkuar edhe si zyrartar për lëshimin e banderolave.

I njëjti deklaroi që zyra e banderolave raportonte tek S.T. në periudha javore, mujore dhe 6 mujore në lidhje me numrin e banderolave të shtypura, se cilave kompani i janë shpërndarë etj.

Dëshmitari tregoi që rekomandimi i cili ishte lëshuar nga zyra ligjore atë kohë nuk kishte ardhur sipas vijës zyrtare, që do të thotë që nuk kishte ardhur përmes kryeshefit.

“Rekomandimin e kam pa që nuk ka ardhë përmes vijës zyrtare përmes kryeshefit, kam kërkuar që me u kthy dokumenti, me ju kthy zyrës ligjore. pasi që i njëjti rekomandim duhet të vinte përmes kryeshefit”- tha S.T. në gjykatë.

Tutje S.T. shtoi që udhëheqësi i zyrës ligjore me këtë rekomandim kishte kërkuar nga zyra e banderolave që të lëshohe banderola për kompaninë “Prima Pharm”, e që në këtë rekomandim nuk ishin të bashkangjitura dokumentet në të cilat udhëheqësi i zyrës ligjore ishte thirrur.

Nga udhëheqësi i zyrës ligjore, dëshmitari kishte kërkuar që dokumentet e specifikuara të ia dorëzoj këtij të fundit.

Në pyetjen e prokurores se a ishin dorëzuar dokumentet e kërkuara sipas kërkesës, “jo nuk i kam pranuar ato dokumente” – u përgjigj dëshmitari S.T.

Gjithashtu i njëjti tha që nuk e dinte nëse “Prima Pharm” kishte apo jo certifikatë.

Ndërsa në fund, mbrojtësit e të akuzuarve konsideruan se është i panevojshëm dëgjimi i ekspertit farmaceutik/kimik pasi që sipas tyre ekspertiza ishte kërkuar para se të merrej vendimi nga bordi për ankesat të AKPMS-së me të cilin ishte anuluar vendimi i inspektoratit farmaceutik dhe kjo ekspertizë ishte lidhur me “Prima Pharm”, dhe për këtë arsye të njëjtit hoqën dorë nga dëgjimi i ekspertit.

Sipas Prokurorisë, Bersan Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale i kishte rekomanduar drejtorit të Administratës së kësaj Agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”.

Kështu, sipas Prokurorisë, ai ia mundësoi kompanisë që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP (Praktikën e Mirë Prodhuese).

Lidhur më këtë rast, Gjykata kishte marrë tri herë aktgjykim dënues. Në vitin 2017 Dushi dhe Kolgeci ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim. Njëjtë në vitin 2018 dhe 2020 gjykata ka marrë aktgjykim dënues ndaj Dushit dhe Kolgecit, duke ju shqiptuar dënim me burgim me kohëzgjatje prej 6 muajsh secilit.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.