Foto: KALLXO.com

Përfundon gjykimi ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të banderolave

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seancë gjyqësore në rastin e Ilir Dushit, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, si dhe ish-zyrtarëve Arian Zeneli, Haki Ejupi dhe Gylten Kurda, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare ngase të njëjtit kishin lejuar që kompania “Asgeto” të pajisej me banderola edhe përkundër faktit se kishte licencë nga AKPPM-ja, e që sipas aktakuzës, kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër krejt tjetër serik, vlera e të cilave arrinte shumën 655,841,05 euro,

Seanca gjyqësore filloi me fjalën përfundimtare të palëve.

Prokurorja e shtetit, Merrushe Llugiqi, në fjalën e saj përfundimtare deklaroi se kompania farmaceutike ka importuar produkte farmaceutike pa licencë.

“Andaj, konsideroj se me rastin e vlerësimit të gjithanshëm dhe të drejtë të mbrojtjes së të pandehurve, administrimit të provave dhe dëshmive pa mëdyshje u vërtetua se të pandehurit e lartcekur, në gjendje të përgjegjshmërisë së plotë penale, me elementin qenësor të fajësisë – dashjes e kanë kryer veprën penale për të cilën po akuzohen. Mbi këtë bazë mbetem në tërësi pranë aktakuzës së ushtruar nga prokurori i lartcekur, dhe i propozoj Gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë për veprën e kryer penale dhe t’i dënojë në bazë të ligjit”, tha ajo.

Mbrojtësi i të akuzarit Arian Zeneli, avokati Skender Musa deklaroi se ka dëgjuar dhe ka pasur në dorë aktakuza  që kanë gabuar emrin e një personi ose mbiemrin e një personi, ose të akuzuarin, por “nuk kam pa ose nuk kam lexuar asnjëherë që një aktakuzë e gabon komplet institucionin”.

“Kjo është e meta kryesore e kësaj aktakuze për shkak se në Ministrinë e Shëndetësisë ka ligje dhe janë dy udhëzime administrative që e rregullojnë çështjen e banderolave që janë të destinuara për tregun komercial dhe për institucionet publike, spitale siç është QKUK, spitalet regjionale dhe ambulantat”, tha avokati.

Avokati Musa tha se sot e kuptoi që Prokuroria, sipas tij, nuk e ka të qartë dallimin në mes të licencave dhe lejeve të importit.

“Asnjë qarkullues farmaceutik/depo nuk mundet asnjë ditë me ushtru veprimtarinë e saj pa licencë të lëshuar nga AKPM. Ndërkaq, leja e importit lëshohet për produktet medicinale dhe pajisjet medicinale që kanë me hy në tregun e Kosovës”, tha ai.

Më tutje, avokati Musa shtoi se në këtë rast nuk ka element të veprës penale, se nuk është plotësuar as elementi subjektiv – dashja, nuk janë plotësuar as elementet objektive.

“Po them që elementi subjektiv – dashja s’u realizua, se këto banderola lëshohen në kuadër të Departamentit Farmaceutik, që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkaq këta të akuzuar punojnë në një agjenci të pavarur dhe i raportojnë vetëm ministrit të Shëndetësisë, përmes kryeshefit ekzekutiv. Dhe një element tjetër që nuk e ka thënë kurrkush këtu, nuk ka qenë asnjë lloj shkelje ndërrimi i serive të produkteve medicinale. Ndërrimi i serisë është ndërrimi i numrit e jo i kualitetit të produktit dhe sikur të kish bërë kompania me kohë kërkesë MSh ka qenë më ia bë ndryshmin e numrit serik”, tha ai.

I akuzuari Ilir Dushi në fjalën përfundimtare tha se falë kësaj aktakuze e ka marrë vesh se si funksionon dhënia e banderolave të kuqe, se paska edhe një komision profesional në MSh që i kontrollon të gjitha produktet para se të hyjnë në depo, paska edhe monitorues, përkatësisht këtë e vërtetoi dëshmitari Berat Murmullaku që produktet janë konform kontratës 03.2011.

“Gjithashtu gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor arrita të kuptoj se Dogana nuk arrin fizikisht me kapacitetet e veta t’i kontrollojë të gjitha produktet, por të paktën pas 13 vitesh, me një vendim timin është e garantuar se të gjitha produktet dhe pajisjet mjekësore që futen në Kosovë janë konform lejeve të importit dhe të sigurta për përdorim nga ne dhe fëmijët tanë”, tha ai.

I akuzuari Arian Zeneli në fjalën përfundimtare tha se përveç që pajtohet me të gjitha ato që i tha Skender Musa, të vetmin send që do ta shtonte është se nuk ka nevojë që të administrohet ndonjë provë por vetëm të lexohet aktakuza ku, sipas tij, shkruan se produkti është gjetur në një shtëpi shëndeti, që automatikisht nënkupton se është dërguar nga depot e MSh.

“Dhe pasi është dërguar nga depo është logjike që e ka banderolën e kuqe nga MSh. Këtë e thash për me sqaru se pse unë u mbrojta në heshtje në seancën paraprake sepse rasti nuk ka të bëjë me mua”, tha Zeneli në fund.

Avokati Nikë Shala, mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Dushi, po ashtu deklaroi se gjatë seancave të mbajtura para këtij trupi gjykues me asnjë provë të vetme, qoftë formale apo materiale, direkte apo indirekte, nuk është vërtetuar se klienti i tij ka kryer veprën penale.

“Me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi im ka kryer këtë vepër penale, andaj lus trupin gjykues që konform nenit 364 par .1 nën  par 1.3 të KPPRKS, të marrë aktgjykim lirues”, tha avokati Shala në fund.

I akuzuari Haki Ejupi në fjalën përfundimtare deklaroi se gjatë të gjitha seancave kur u morën në pyetje dëshmitarët, provat dhe të gjithat, “dhe kur me erdh mua radha të deklarohem para jush jo që u frikësova, mirëpo marrë parasysh se hetuesia dhe Prokuroria shkresat e mia të cilat i kanë kërkuar për komunikim të drejtë dhe nëse vërehen ato shkresa të cilat jam përgjigjur në mënyrë apo në kohë sa më të shpejtë  për t’i mundësuar Prokurorisë dhe hetuesisë zbardhjen e rastit, të njëjtat  i ka deviju dhe i ka përdorur si prova kundër meje dhe kundër nesh këtu”.

Shpallja e aktgjykimit u caktua për më 18.2.2020.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se i akuzuari Ilir Dushi në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, së bashku me Haki Ejupin si drejtor i Departamentit, Arian Zenelin dhe Gylten Kurdan si asistentë profesionalë në zyrën e banderolave në AKPM, kishin keqpërdorur pozitën e tyre.

Sipas aktakuzës të akuzuarit pas marrëveshje paraprake dhe me qëllim që t’i mundësojnë kompanisë “Asgeto” përfitim të dobisë pasurore, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, kishin lejuar që kjo kompani të pajiset me banderola edhe përkundër faktit se kishte licencë nga AKPM-ja, e që kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër krejt tjetër serik, vlera e të cilave importime arrin shumën 655,841,05 euro.

Akti akuzues thotë se Ilir Dushi, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda  kanë shtypur banderolat dhe insulinë më 2 nëntor 2012, të cilat më pas ishin dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, e më pas ishin shpërndarë nëpër qendra të ndryshme mjekësore në vend.

I ngarkuar sipas kësaj aktakuze kishte qenë edhe Milot Cena, menaxheri i kompanisë “Asgeto”, i cili akuzohet se më 2 nëntor 2012 kishte dorëzuar insulinën me numër tjetër serik në Ministrinë e Shëndetësisë edhe pse nuk kishte licencë adekuate për atë produkt.

Me këtë, prokuroria e ngarkon për veprën penale “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, mirëpo këtij të njëjtit i ishte parashkruar vepra penale.

https://kallxo.com/ligji/gjykimi-per-banderola-dy-prej-te-akuzuarve-mbrohen-ne-heshtje/