Mbrohen në heshtje zyrtarët e akuzuar të Agjencisë për Produkte Medicinale

 

Ka vazhduar gjykimi ndaj zyrtarëve të Agjencisë për Produkte Medicinale, Bersan Kolgecit dhe Ilir Dushit, të cilët po akuzohen për keqpërdorim detyre.

Në këtë seancë të dy të akuzuarve ju dha mundësia që të paraqesin mbrojtjen e tyre mirëpo të njëjtit vendosën që të mbrohen në heshtje.

Po ashtu në shqyrtimin e sotëm ishte paraparë që të paraqitet fjala përfundimtare e palëve mirëpo e njëjta është shtyrë për datë tjetër.

Kjo ndodhi me propozim të prokurores së rastit Merrushe Llugiqi, e cila tha se për shkak të kujdestarisë dhe se prokuroria është duke punuar vetëm me staf esencial, nuk e kishte të gatshme fjalën përfundimtare.

Sipas Prokurorisë, Bersan Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale, i kishte rekomanduar drejtorit të Administratës së kësaj Agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”.

Kështu, sipas Prokurorisë, ai ia mundësoi kompanisë që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP (Praktikën e Mirë Prodhuese).

Lidhur më këtë rast, Gjykata kishte marrë tri herë aktgjykim dënues. Në vitin 2017 Dushi dhe Kolgeci ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim. Njëjtë në vitin 2018 dhe 2020 gjykata ka marrë aktgjykim dënues ndaj Dushit dhe Kolgecit, duke ju shqiptuar dënim me burgim me kohëzgjatje prej 6 muajsh secilit.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi – LINK