Foto: KALLXO.com

Gjykimi për banderola, dy prej të akuzuarve mbrohen në heshtje

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seancë gjyqësore në rastin e Ilir Dushit, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, si dhe ish-zyrtarëve Arian Zeneli, Haki Ejupi dhe Gylten Kurda, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare lidhur me lejimin e pajisjes me banderola të kompanisë “Asgeto”, edhe pse kompania nuk ishte e licensuar nga Agjencia.

Të akuzuarit Haki Ejupi dhe Arian Zeneli vendosën të mbrohen në heshtje ndërkaq e akuzuara Gylten Kurda tha se në departamentin që kishte në kompetencë shtypjen e banderolave, në kuadër të AKPPM-së, ka punuar si asistente teknike.

“Detyrat e punës kanë qenë marrja e shkresave sipas kërkesës së palëve, përkatësisht kërkesave të kompanive farmaceutike dhe  shtypja e  banderolave”, tha ajo.

Më tutje, në pyetjen e trupit gjykues lidhur me përmbajtjen e këtyre kërkesave, e akuzuara deklaroi se kërkesa duhej të kishte emrin e produktit, sasinë, numrin serik të banderolave  dhe bashkangjitur me këtë edhe dokumentacionin për zhdoganim të produkteve, formularin B dhe licencën e importit të leshuar nga AKPPM.

E gjithë kjo duke iu referuar mënyrës së shtypjes së banderolave të kaltërta, të cilat sipas të akuzuarës janë të vetmet banderola të cilat i kanë shtypur.

Ajo mohoi mundësinë e shtypjes së banderolave të kuqe për të cilat, sipas aktakuzës, janë të akuzuar të pandehurit e rastit.

Për seancën e radhës prokurorja Dulina Hamiti propozoi të ftohen si dëshmitarë Berat Marmullaku monitoruesi i Zyrës së Prokurimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë, dhe Gegë Kryeziu, pronar I “Asgetos”, propozim ky që u aprovua nga trupi gjykues përkundër kundërshtimeve të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre.

Seanca e radhës u caktua për më 10 shkurt.