Foto: KALLXO.com

Dënohen me nga 6 muaj burg për lëshimin e mbi 435 mijë banderolave për barna

Gjykata e Prishtinës ka gjetur fajtorë Ilir Dushin dhe Bersan Kolgeci, të cilët akuzohen për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar

Gjyqtari Beqir Kalludra e dënoi Bersan Kolgecin me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim do t’i ekzekutohet në afatin prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, në kohëzgjatje prej 6 muajsh e dënoi edhe Ilir Dushin, i cili dënim gjithashtu do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë  së këtij aktgjykimi, e në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Kundër të akuzuarit Edon Hajrullaga është refuzuar akuza për veprën penale prodhim i ndaluar.

“Ne e kemi shqyrtuar edhe një herë këtë çështje penale, i kemi analizuar edhe vërejtjet e Gjykatës së Apelit lidhur me këtë çështje penale dhe ne mbetemi pranë vendimit të cilin e kemi shqiptuar në dy gjykimet e mëparme, se  ne vlerësojmë se gjendja faktike e përshkruar në dispozitivin e kësaj aktakuze është vërtetuar me të gjitha provat që janë administruar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor dhe ne nuk kemi gjetur mundësi tjetër për marrjen e ndonjë vendimi tjetër”, tha gjyqtari Beqir Kalludra.

“Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh pas pranimit të këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit”, tha më tutje Kalludra.

Bersan Kolgeci dhe Ilir Dushi po akuzohen për keqpërdorim detyre sepse si zyrtarë të Agjencisë për Produkte Medicinale lëshuan banderola për kompaninë “Prima Pharm” të cilës i mungonte një certifikatë e nevojshme për prodhim.

Në anën tjetër, Edon Hajrullaga, pronar i “Prima Pharm”, po akuzohet për prodhim të ndaluar.

Bersan Kolgeci dhe  Ilir Dushi nga Prokuroria akuzohen që si persona zyrtarë në AKPPM lëshuan 435 mijë e 124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”.

Sipas Prokurorisë, Bersan Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale i kishte rekomanduar drejtorit të Administratës së kësaj Agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”.

Kështu, sipas Prokurorisë, ai ia mundësoi kompanisë që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP (Praktikën e Mirë Prodhuese).

Gjykata e Prishtinës më 23 shkurt 2018 kishte dënuar  Kolgecin e Dushin me nga 6 muaj burgim, ndërsa liroi zyrtarin tjetër të kësaj Agjencie, Haki Ejupin.

Edon Hajrullaga, pronari i kompanisë “Prima Pfarm” u dënua me gjobë prej 10 mijë eurove

Gjykata u kishte mundësuar  zyrtarëve Bersan Kolgeci e Ilir Dushi që dënimin me burgim të mund ta kthejnë në dënim me gjobë, duke paguar nga 20 euro për çdo ditë të dënimit.

Ndërsa më 14 dhjetor 2017, Gjykata e Apelit e ktheu  çështjen në rigjykim nën arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimi bashkë me pjesën ndëshkuese të lëshuar nga Gjykata Themelore ishte “i paqartë dhe i pakuptueshëm”.

Ish-kryeshefi i AKMP-së Ilir Dushi për herë të tretë deklarohet për akatkuzën për lëshimin e banderolave të ilaçeve

.