Foto: RTK/Youtube

Gjurmët që Arzana Kraja la në regjinë kosovare                

‘Shkurta’ është filmi i metrazhit të shkurtër me të cilin u mirëprit në skenë,  Arzana Kraja, regjisorja  e njohur kosovare.

Tashmë e ndjera, ishte e njohur për regjinë dhe skenarin e  filmit të metrazhit të gjatë, “Fusha e mëllenjave” që bëri hapjen zyrtare të edicionit të 11-të  të PriFest 2019.

Kraja ka  lindur më 2 janar të vitit 1981.

Studimet i ka përfunduar në drejtimin Regji në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Ishte regjisore, asistente e regjisë dhe producente në disa televizione e produksione vendore.

Ajo ishte njëra ndër themelueset dhe udhëheqëse e Departamentit të Filmit në Festivalin Ndërkombëtar Studentor për Film dhe Teatër, “Skena UP”, nga viti 2002 deri më 2007.

“Fusha e Mëllenjave” ishte pretendente për çmim edhe në festivalin prestigjioz të filmit ‘Berlinale’.

Është prodhim i shtëpisë kinematografike ‘Circle Production’ në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Action Production.

Ky film është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Shqipëri.

Tema që trajtoi ky film ishin problemet e një të burgosuri politik shqiptar, i cili e ka vështirë të jetojë me të kaluarën.

Kraja ishte edhe autore e tetë filmave të shkurtër si  “Kulla e sahatit”, “Shkurta”, dhe disa dokumentarë si “Përmes syve të mi” dhe “Kosova ime”.

Ajo ishte bashkëregjisore e serialit “Kafeneja jonë” me Shkumbin Istrefin.

Artdashësja, është gjetur e vdekur dje në lagjen “Kalabria” të Prishtinës. Deri më tani nuk dihet shkaku i vdekjes së saj.

Tronditjen për vdekjen e bijës së  Mehmet Krajës, Kryetarit të Akademisë, Shkencave dhe të Arteve të Kosovë e kanë shprehur  në rrjete sociale familjarët, komuniteti artistik, liderët politikë e të tjerë.

Motra e regjisores, Gresa Kraja, përmes një njoftimi, ka dhënë detaje për ceremoninë e varrimit të Arzana Krajës.

“Me pikëllim dhe zemër të thyer ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të vajzës dhe motrës tonë të dashur Arzana Kraja. Varrimi i saj bëhet të enjten te varrezat e Dragodanit në Prishtinë në orën 14:00. Dyert e familjes do të jenë të hapura në lagjen Ulpiana D9, pranë klinikës “Fati im””, thuhet në njoftimin e familjes.

Ngushëllime ka shprehur edhe  menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës, i cili është shprehur i pikëlluar me humbjen e hershme të artistes Arzana Kraja.

Menaxhmenti i këtij teatri ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media se me rastin e vdekjes se regjisores Kraja, në shenjë respekti do të anulojë shfaqjen e planifikuar për natën e sotme.

Me anë të postimeve në ‘Facebook’ shprehën ngushllimet kolegët e saj Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Besnik  Krapi, Eliza Hoxha, Naser Rafuna, Besim Ugzmajli, Alban Muja, Donat Qosja, Fatos Kryeziu, Fatmir Spahiu dhe shumë artistë të tjerë.

Arzana Kraja njihej si pjesëmarrëse në organizime feministe, në protesta kundër dhunës ndaj grave dhe diskutimeve për drejtat e grave.

Varrimi i regjisores bëhet sot te varrezat e Dragodanit në Prishtinë në orën 14:00.