FOTO: Top Channel

Gjoba dhe kontrolle në Durrës, motorët e ujit lëvizin brenda korridoreve të përcaktuara

Të mbushura plot me pushues, në plazhet e Durrësit këtë të diel nuk pati skafe apo motora uji në det.

Një urdhër policor për kontrollin e të gjitha vendbazimeve dhe mjeteve motorike bllokoi daljen e tyre në det, duke lënë të pakënaqur subjektet e licencuara për këtë aktivitet.

“Këto ditë kanë qenë kontrollet më intensive. Çdo ditë një kontroll dhe kemi dalë në rregull… thjesht presim dhe një përgjigje për kontrollin që do të bëhet sot se si do të vazhdojë situata”, tha një pronar vendbazimi.

Nëse ky bllokim i mjeteve të ujit për qëllime argëtimi zgjat, subjektet shprehen se situata do t’i dëmtojë ekonomikisht, pasi dhe pak javë kanë mbetur nga sezoni turistik.

“Dëmtohemi sepse turizmi dhe 3 javë është. Ne këto ditë presim që të paguajmë shpenzimet që kemi. Shpresoj që të mos vazhdojë gjatë. Kush është i licencuar dhe brenda rregullave të vazhdojë të punojë, të tjerët të bllokohen. Nuk jemi për paligjshmëri, po ligji të zbatohet njësoj për të gjithë.”

Ndryshe nga operatorët turistikë që ofrojnë argëtim në det përmes motorëve dhe gomoneve, pushuesit sot janë ndjerë më të sigurtë.

Velipoja:

Prej 1 jave, mjetet lundruse në Velipojë ndalohen për të dale në det prandaj drejtuesit e tyre kërkojnë një shpjegim zyrtar nga ana e policisë.

Qytetaret thonë se gjatë kësaj jave kanë qenë me të qetë por kërkojnë një të mesme të përbashkët që ato të punojnë. Zgjidhja sipas tyre është ndarja me zona siç ndodh në Malin e Zi dhe gjobat që shkojnë deri në 2000 euro nëse mjeti motorik kalon kufirin ndarës me pushuesit.

Në të gjithë Velipojën janë 6 subjekte të cilat lëshojnë me qera rreth 15 mjete lundruese jet ski./Top Channel