Foto: REL/Reuters

Gjermania nuk ia njeh Kosovës testet për COVID-19

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjemani ka bërë të ditura rregullat për shkak të Covid-19

për qytetarët të cilët nga Gjemania udhëtojnë në Kosovë dhe rregullat kur ata vendosin të kthehen përsëri në Gjermani.

Sipas njoftimit, Kosova nga institucionet në Gjemani aktualisht kategorizohet si rajon me rrezikshmëri për përhapjen e pandemisë.

“Nëse këtë verë keni planifikuar një udhëtim për në Kosovë, ju lutemi që së pari të njoftoheni për njoftimet e Organeve përgjegjëse të Kosovës dhe patjetër të merrni në konsideratë se: Ministria e Jashtme e Gjermanisë edhe më tej paralajmëron për të gjitha udhëtimet e domosdoshme (përfshirë pushimet, pushimet në vendlindje, vizitat familjare etj.) për në Kosovë. Kjo vlenë aktualisht deri më 31 gusht 2020. Kosova nga institucionet kompetente gjermane aktualisht kategorizohet si rajon me rrezikshmëri për përhapje të pandemisë Covid-19”, thuhet në njoftim.

Abnasada ka bërë thirrje për qytetarët të cilët vendosin të udhëtojnë jashtë vendit, përkundër paralajmërimit për udhëtim, ata duhet të kenë  parasysh që ambasadat dhe konsulatat gjermane jashtë vendit nuk mund t’i ndihmojnë gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit ose masa për kufizime të jetës publike.

“Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Kosovë nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër tjerash ekzistojnë kapacitete tejet të vogla për trajtim mjekësor intensiv dhe mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Sipas njoftimit, qytetarët të cilët kthehen nga Kosova në Gjemani, e kanë të obligueshmë të karantinohen për 14 ditë.

“Nëse tani udhëtoni për në Gjermani – me aeroplan, apo nëpërmjet rrugëve tokësore me autobus ose veturë private – dhe keni qëndruar në Kosovë brenda 14 ditëve të fundit para udhëtimit, jeni të detyruar që menjëherë pas kthimit të lajmëroheni tek insitucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtroheni një vetë-izolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh. Detyrimi për karantinë shtëpiake/vetë-izolim vlenë për të gjithë nënshtetasit (edhe për ata gjermanë) dhe pa marrë parasysh qëllimin e udhëtimit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ambasada tutje ka njoftuar qytetarët se gjatë kohës së karantinës shtëpiake, ata kanë të drejtë të dilni nga banesa vetëm në konsultim dhe me leje të institucionit vendor shëndetësor, pasi që një shkelje e këtij detyrimi mund të ketë për pasojë gjoba të larta.

“Nëse dhe eventualisht ku është e mundur të bëhet një test për Covid-19 pas hyrjes në Gjermani, i cili do të shkurtonte kohën e izolimit, edhe për këtë vendos institucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit. Në Kosovë aktualisht nuk ka laboratore, të cilët kryejnë teste për Covid-19, të cilat njihen në Gjermani”, thuhet në njoftimin e ambasadës.