Më 11 shkurt pritet votimi përfundimtar për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës në Gjermani

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka njoftuar se për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës në Gjermani ka mbetur të merret edhe hapi përfundimtar, votimi në seancën plenare të Bundesrat-it më 11 shkurt 2022.

Sipas këtij njoftimi, sot në Komisionin për Transport dhe Komunikime Digjitale në Bundesrat është shqyrtuar rekomandimi i Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit dhe ky rekomandim ka kaluar pa vërejtje.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm, se një numër i madh i qytetarëve të Republikës së Kosovës (me vendbanim apo leje qëndrimi në Gjermani) janë gjobitur nga autoritetet vendase në mungesë të kësaj marrëveshje. Kemi pranuar me dhjetëra thirrje dhe mesazhe telefonike dhe vërtetë ndjejmë keqardhje për secilin rast veç e veç. Andaj, dëshirojmë t`ju sigurojmë se shqetësimet tuaja janë brengat tonat”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Në njoftim Ambasada jep edhe këto informacione shtesë:

a) Nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla ndërmjet shteteve merr kohë dhe zgjatë me vite. Në një proces të tillë të konvertimit të patentë-shoferëve me Gjermaninë, janë duke kaluar edhe disa shtete të tjera, të cilat kanë shtetësi shumë më të vjetër se Republika e Kosovës.

b) Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për shtetasit e Republikës së Kosovës në Gjermani, institucionet kompetente kosovare e kanë marrë me përkushtim të posaçëm kryerjen dhe zbatimin e të gjitha zotimeve nga kjo marrëveshje.

c) Duke qenë se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Gjermanisë i ka rekomanduar me datë 29 dhjetor 2021 Këshillit Federal (Bundesrat-it) të procedojë tutje me miratimin e marrëveshjes, ka mbetur që Bundesrat-i, si instanca finale institucionale, të thotë fjalën e fundit.

d) Kështu që, sot, më datë 26 janar 2022 në Komisionin për Transport dhe Komunikime Digjitale në Bundesrat është shqyrtuar rekomandimi i Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit dhe si i tillë, ky rekomandim KA KALUAR PA VËREJTJE.

e) Nga ana e Bundesrat-it ka mbetur edhe hapi i fundit procedural, që është votimi në seancën plenare të Bundesrat-it më 11 shkurt 2022.

f) Në lidhje me pyetjet e dërguara dhe paqartësitë për Bundesrat-in: ai nuk është dhoma e dytë e parlamentit gjerman (tipike për shumë shtete tjera me sistem parlamentar bikameral). Si organ (sui generis) legjislativ, Bundesrati nuk përbëhet nga deputetët e zgjedhur (siç është rasti i Bundestag-ut), por nga përfaqësuesit e 16 landeve gjermane (përkatësisht nga krerët e qeverive të landeve apo ministrat e resorëve përkatës) dhe përbëhet nga 69 anëtarë. Kështu që, marrëveshja e sipërpërmendur do të votohet në Bundesrat dhe për aprovimin e saj nevojitet shumica e thjeshtë (prej 35 votash).

Tutje Ambasada e Kosovës në Gjermani ka thënë se janë të vetëdijshëm, se një numër i madh i qytetarëve të Republikës së Kosovës me vendbanim apo leje qëndrimi në Gjermani janë gjobitur nga autoritetet vendase në mungesë të kësaj marrëveshje.

Për lejet e drejtimit të automjeteve nga Republika e Kosovës parashihet konvertimi i patentë- shoferëve pa provime shtesë në këto kategori:  AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.