Gashi: Mosrespektimi i urdhrit të Gjykatës nga Kurti rrezikon procesin e rastit “Banjska” të Radoiçiqit

Gazetari Kreshnik Gashi ka thënë se refuzimi i kryeministrit Albin Kurti për të zbatuar urdhrin e Gjykatës së Prishtinës për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale mund të dëmtojë procesin e ekstradimit të Millan Radoiçiqit.

Ai ka shtuar se gjyqtari që lëshoi urdhrin për Kurtin është i njëjti që firmosi kërkesën për ekstradimin e udhëheqësit të grupit terrorist të Banjskës, Millan Radoiçiqit.

Gazetari Kreshnik Gashi ka vlerësuar se refuzimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale sipas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës përbën një rrezik për sundimin e ligjit dhe sistemin juridik të vendit.

Sipas Gashit, vendimi i Gjykatës për ta obliguar Kurtin të japë dëshminë e tij në Zyrën e Prokurorisë ka ndryshuar juridikisht situatën, duke e bërë këtë çështje më serioze.

“Janë disa elemente që duhet konstatuar në ditën e sotme dhe po ashtu me i lidh me emra të përveçëm në këtë situatë. Në ditën kur janë lëshuar urdhëresa për intervistimin e kryeministrit, kur është bërë debati se a duhet kryeministri me shku në zyrë të Prokurorisë ose me qenë në zyrën e tij. Kam qenë ithtar i asaj që Prokuroria duhet me shku kudo që është dëshmitari, për shkak se duhet me iu përshtatë nevojave të dëshmitarit. Mirëpo situata ka ndërruar pas vendimi të Gjykatës. Çështja është bërë serioze në momentin kur i është nënshtruar një kontrolli ligjor. Dhe në momentin kur Prokuroria e ka bindur Gjykatën që intervistimi duhet me ndodhë në zyrën e Prokurorisë dhe jo në atë të kryeministrit, juridikisht situata ka ndryshuar. Dhe kemi një vendim ose urdhër prej gjykatësit që kryeministri me u zhvendosë në zyrën e Prokurorisë” – ka thënë Gashi në Debat Plus.

Gashi ka deklaruar se i njëjti gjyqtar që ka lëshuar urdhrin për Kurtin, Valon Kurtaj, ka nënshkruar edhe urdhër-arrestin ndërkombëtar për ekstradimin e Millan Radoiçiqit.

“Në momentin kur kemi një mosbesim të kryeministrit tonë ndaj urdhrave të gjyqtarit Kurtaj çka na ndodh neve në momentin kur diku në Evropë arrestohet një pjesëtar i Radoiçiqit dhe ai vihet në kontekstin a duhet me u ekstradu në Kosovë apo në Serbi. Unë mendoj që dëmi që i bëhet procesit të Millan Radoiçiqit me mosrespektimin e gjyqtarit Kurtaj prej kryeministrit tonë, Albin Kurti, është shumë i madh dhe mendoj që është duke gabuar në këtë moment. Kryeministri është dashur që për hir të të kredibilitetit të Gjykatës, për hir të gjykatësit, që iu ka besu krejt hetimi i Radoiçiqit, me shku ne prokurori” -tha kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi.

“Pse dikush me i besu Valon Kurtajt në fletarrestet ndërkombëtare të Interpolit kur atij kryeministrit i vet s’po i beson, për një veprim të thjeshtë” – ka shtuar Gashi.

Kryeministri Kurti, ndërkohë, ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore, por ka insistuar që intervistimi të bëhet në zyrën e tij në Kryeministri. Ai ka thënë se nuk i ka refuzuar ftesat e Prokurorisë, por kërkon të shmangë interpretimet që mund ta paraqesin atë si të përfshirë në një rast korrupsioni.

Në një reagim, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë theksuar se respektimi i ligjit është detyrim për të gjithë dhe se deklaratat e Kurtit janë duke dëmtuar funksionimin e institucioneve demokratike./ Dukagjini