FSK përfunduan suksesshëm misionin në Kuvajt, Kurti i pret në takim

Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Kosovës, Major Mentor Ibrahimi, Kapiten Kreshnik Haxhiu, Toger Dhurim Shemsedini, Tetar Hyjnor Lajqi dhe Ushtari i Klasit të Parë Mehmet Mehmeti, që nga muaji maj deri në tetor 2021, ishin në Kuvajt, janë pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në zyrën e tij Kurti i ka falënderuar ushtarakët e FSK-së, dhe ka thënë se ndjehet krenar për ta.

“Kosova po e merr një rol më të madh në siguri dhe mbrojtje që është nder, por edhe përgjegjësi e madhe. Tani është koha që ju profesionalisht t’i ndani të gjitha mësimet e mësuara në këtë mision në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe të kaloni momente relaksuese me familjet dhe miqtë tuaj”, ka thënë ai në takim me të uniformuarit e FSK-së.

“Ju do të mbaheni në kujtesën tonë si grupi i parë që tregoi vullnetin e lartë dhe të fuqishëm të ushtarakëve të Kosovës të japin më shumë për paqe dhe liri sepse, ne si popull e dimë çmimin e lartë të lirisë”, është shprehur Kurti, thuhet në komunikatën për media.

Pjesëtarët e FSK-së falënderuan Kurtin për përkrahjen e vazhduar ndaj tyre, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.