Ilustrim

Franca do të fillojë me evakuimin e shtetasve francezë dhe të BE-së nga Nigeri duke filluar nga nesër

Franca do t’i evakuojë qytetarët francezë dhe evropianë nga Nigeri, duke filluar nga e marta, thuhet në një njoftim nga ministria e jashtme franceze, disa ditë pasi një juntë ushtarake mori pushtetin në këtë vend të Afrikës Perëndimore.

Përmbysja e presidentit Mohamed Bazoum të mërkurën e kaluar – marrja e shtatë ushtarake në më pak se tri vjet në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore – ka dërguar valë tronditëse në të gjithë rajonin, duke i vënë përballë ish-aleatët perëndimorë të Nigerit kundër Rusisë dhe liderëve të tjerë të juntës në rajon.

Ish-fuqia koloniale Franca ka pasur trupa në këtë vend për një dekadë duke e dhënë ndihmën e saj për ta luftuar një kryengritje islamike, por disa vendas thonë se duan që ish-sundimtari kolonial ta ndalojë ndërhyrjen në punët e tyre.

Të dielën, mbështetësit e juntës i dogjën flamujt francezë dhe e sulmuan ambasadën franceze në kryeqytetin e Nigerit, Niamey, duke bërë që policia të lëshonte gaz lotsjellës si kundërpërgjigje.

Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna i tha BFM TV të hënën vonë se protesta përpara ambasadës dhe akuzat që pasuan se Franca qëlloi mbi turmën – të cilat ajo i mohon – “kanë të gjithë përbërësit e zakonshëm të destabilizimit, rrugën ruso-afrikane”.

Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar rus ëagner, javën e kaluar përshëndeti grushtin e shtetit në Niger dhe tha se forcat e tij ishin në dispozicion për të rivendosur rendin.

Kremlini tha të hënën se situata në Niger ishte “shkak për shqetësim serioz” dhe bëri thirrje për një kthim të shpejtë në rendin kushtetues.

Sipas faqes së internetit të ministrisë së jashtme franceze, në vitin 2022 në Niger kishte më pak se 1200 shtetas francezë.

Grushtshteti e ka rritur frikën për sigurinë e rajonit të Sahelit. Nigeri është prodhuesi i shtatë më i madh në botë i uraniumit, metali radioaktiv që përdoret gjerësisht për energjinë bërthamore dhe trajtimin e kancerit.

Blloku rajonal ECOWAS ka vendosur sanksione, duke përfshirë një ndalim të të gjitha transaksioneve financiare dhe një ngrirje të aseteve kombëtare dhe tha se mund të autorizojë forcën për të rizhvendosur presidentin Mohamed Bazoum, i cili është ende i mbyllur në pallatin e tij.

Mirëpo juntat e vendeve fqinjëve siç janë Burkina Faso, Mali dhe Guinea, që të gjitha i kanë dale në mbështetje për udhëheqësit e grushtshtetit të hënën./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala