Flet avokati i të dyshuarit për vrasjen në Ferizaj: Ai ka qenë në gjendje të përgjigjet vetëm me ‘po' dhe 'jo’

Kastriot Zenuni, avokati i të dyshuarit Q.J për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj, ka bërë të ditur për KALLXO.com se gjendja e të dyshuarit dje nuk ka qenë shumë e mirë, kur është mbajtur senaca për caktimin e paraburgimit në spital.

Sipas tij, i dyshuari nuk ka qenë në gjendje të flas, por ka qenë në gjendje të përgjigjet me vetëm “po” dhe “jo”.

“Gjendjen nuk e ka pasur shumë të mirë. Përgjigje ka mujt me thënë po ose jo. Edhe doktori ka thënë që gjendja e tij është kështu. Rekomandimi i doktorit ka qenë që s’mundemi me malltretu me fol ai më shumë”, tha Zenuni.

Ai shtoi se seanca është mbajtur në spital dhe se ende nuk e ka pranuar vendimin e paraburgimit.

KALLXO.com më herët raportoi se dje pasdite prokurori i rastit dhe Gjyqtari kanë shkuar në QKUK ku është duke mbajtur në trajtim i dyshuari dhe është mbajtur seanca e paraburgimit. KALLXO.com ka kuptuar se vendimi është që i dyshuari Q.J të qëndrojë në paraburgim, por masa do të zbatohet në Spital, derisa ai të shërohet.

G.H, 30 vjeçar, mbeti i vrarë mesnatën e 28 majit në Ferizaj, pasi i njëjti u qëllua për vdekje me armë zjarri, nga i dyshuari Q. J.

Në dosjen e prokurorisë përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H.

Në dosje përshkruhet se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen. Po ashtu Prokuroria nga ky rast ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë në atë zonë.

Sipas deklaratës së një dëshmitari në vendin e ngjarjes, e cila përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, i dyshuari Q. J. dyshohet se derisa viktima ka qenë duke ecur bashkë me disa shokë të tij, u ka shkuar nga prapa me një veturë të tipit ‘AUDI A7’ dhe me t`u ndalur para marketit ‘E… M….’ ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës.

Dosja e Prokurorisë: Djegja e makinës së Butës, motivi i vrasjes së 30 vjeçarit në Ferizaj