Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vrasja në Ferizaj, të dyshuarit i caktohet paraburgimi në spital

G. H, 30 vjeçar, mbeti i vrarë mesnatën e 28 majit në Ferizaj, pasi i njëjti u qëllua për vdekje me armë zjarri, nga i dyshuari Q. J.

KALLXO.com ka kuptuar se dje pasdite prokurori i rastit dhe Gjyqtari kanë shkuar në QKUK ku është duke mbajtur në trajtim i dyshuari dhe është mbajtur seanca e paraburgimit.

KALLXO.com ka kuptuar se vendimi është që i dyshuari Q.J të qëndrojë në paraburgim, por masa do të zbatohet në Spital, derisa ai të shërohet.

I dyshuari për këtë vrasje, Q. J., është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi i njëjti është plagosur nga arma zyrtare e një polici i cili kishte ndërhyrë për ta arrestuar të dyshuarin.

KALLXO.com raportoi për dosjen Prokurorisë për vrasjen e 30-vjeçarit.

Në dosjen e prokurorisë përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H.

Në dosje përshkruhet se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen. Po ashtu Prokuroria nga ky rast ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë në atë zonë.

Sipas deklaratës së një dëshmitari në vendin e ngjarjes, e cila përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, i dyshuari Q. J. dyshohet se derisa viktima ka qenë duke ecur bashkë me disa shokë të tij, u ka shkuar nga prapa me një veturë të tipit ‘AUDI A7’ dhe me t`u ndalur para marketit ‘E… M….’ ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës.

Dosja e Prokurorisë: Djegja e makinës së Butës, motivi i vrasjes së 30 vjeçarit në Ferizaj

.