Fillon vaksinimi edhe i shtetasve të huaj në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se tashmë ka filluar vaksinimin edhe të shtetasve të huaj të cilët janë në Kosovë.

Sipas njoftimit të Ministrisë, vaksinimi edhe i qytetarëve jo-kosovarë bëhet me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, në ketë periudhë të fund-vitit kur ka edhe fluks më të madh të ardhjeve të qytetarëve nga vende të ndryshme në Kosovë.

“Institucionet kosovare kanë mundësi që të ofrojnë vaksina për të gjithë qytetarët në Kosovë, të moshës mbi 12 vjeç, pa marrë parasysh se a janë shtetas të Republikës së Kosovës apo jo”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftimin e ministrisë thuhet se ky rekomandim ka ardhur nga Komitetit për imunizim kundër COVID-19.

Gjithashtu, Ministria ka bërë thirrje për qytetarët që të kryejnë procesin e vaksinimit kundër COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë bën thirrje qytetarëve që të kompletojnë procesin e vaksinimit kundër COVID-19, duke i marrë të dy dozat, ndërsa ata që nuk janë vaksinuar ende, ftohen që ta bëjnë këtë sa më parë, në cilëndo qendër vaksinimi në Kosovë apo tek cilido ekip mobil i vendosur në terren, pa caktuar termin paraprakisht dhe pa marrë parasysh se në cilën komunë jetojnë”, përfundon njoftimi i MSh-së.