Burimi i fotos - economist.com

Fiaskoja në Afganistan është goditje e rëndë për pozicionin e Amerikës në botë

 

Nëse propagandistët e talebanëve do ta kishin shkruar skenarin e kollapsit të misionit 20-vjeçar të Amerikës për ta riformuar Afganistanin, nuk mund të kishin dalë me pamje më tronditëse se ato që po shohim ditëve të fundit. Ndërkohë që kryengritësit e morën nën kontroll Kabulin, afganët e dëshpëruar, të tmerruar nga ajo që mund të bënin fanatikët ngadhnjimtarë, ndoqën kargo avionët amerikanë poshtë pistës në aeroportin e Kabulit, duke u përpjekur të futeshin brenda atyre avionëve dhe pashmangshmërisht të rrëzoheshin poshtë për vdekje. Qeveria e mbështetur nga Amerika ishte dorëzuar pa luftë – diçka që zyrtarët amerikanë po këmbëngulnin se nuk do të ndodhte vetëm disa ditë më parë. Afganët u lanë në një pozitë aq të tmerrshme saqë ngjitja në rrotat e një avioni dukej opsioni i tyre më i mirë.

Amerika ka shpenzuar 2 trilionë dollarë në Afganistan; më shumë se 2,000 jetë amerikane kanë humbur, për të mos përmendur jetërat e panumërta afgane. E megjithatë, edhe nëse afganët janë më të prosperuar tani sesa kur këtë vend e pushtoi Amerika, Afganistani është kthyer në gjendjen e mëparshme. Talibanët tani kontrollojnë më shumë me këtë vend sesa kur patën humbur pushtetin në vitin 2001, tani janë më të armatosur, pasi kanë kapur armët që Amerika i dha ushtrisë afgane, dhe ata tani kanë fituar afirmimin final: mposhtjen e një superfuqie.

Kryengritësit kanë bërë një shfaqje madhështie, duke u zotuar se nuk do të hakmerren ndaj atyre që kanë punuar për qeverinë tashmë të rrëzuar dhe duke këmbëngulur se do t’i respektojnë të drejtat e grave, brenda interpretimit të ligjit islam. Mirëpo, gjatë viteve 1990, kur talebanët qeverisnin me Afganistanin, ky interpretim i mbajti shumicën e vajzave jashtë shkollës dhe shumicën e grave të mbyllura në shtëpitë e tyre. Dënimet brutale – goditjet me gurë, amputimet – ishin të zakonshme. Liritë që afganët urbanë i morën si të mirëqena gjatë 20 viteve të fundit tashmë janë bërë histori. Kjo nënkupton një rezultat të tmerrshëm për 39 milionë banorët e Afganistanit dhe shumë të dëmshëm për Amerikën.

Nuk është për t’u habitur që Amerika nuk arriti ta shëndrrojë Afganistanin në një vend me sistem demokracie. Shtendërtimi është i vështirë dhe shumë pak e imagjinuan se mund të bëhej një vend i zhvilluar, ta zëmë si Zvicra. As nuk ishte e paarsyeshme se dëshira e Joe Biden, presidentit amerikan, ishte  përfundimi i konfliktit atje. Amerika i ka shpenzuar 20 vjet në një vend me rëndësi modeste strategjike, për të cilën shumica e votuesve amerikanë kanë pushuar së qeni të interesuar. Arsyeja origjinale e pushtimit – për të çmontuar bazën kryesore të operacioneve të Al-Kaedës është arritur kryesisht, megjithëse edhe kjo arritje tani mund të përmbyset.

Pretendimi se Amerika po tregohet si një aleate e paqëndrueshme duke lejuar rënien e qeverisë afgane është gjithashtu i fryrë, duke pasur parasysh kohëzgjatjen, shkallën dhe shpenzimet e dislokimit amerikan atje. Regjimi jofunksional në Kabul nuk ishte një aleat në mënyrën siç është Gjermania apo Japonia. Ishte diçka shumë më e dobët, më e korruptuar dhe plotësisht e varur nga Amerika për mbijetesën e saj.

Por asgjë nga kjo nuk e liron Amerikën nga përgjegjësia për t’u tërhequr në mënyrë të rregullt. Presidenti Biden nuk arriti të tregojë as një kujdes të vogël për mirëqenien e afganëve të zakonshëm. Ironia është se Amerika kishte një plan për të bërë pikërisht këtë gjë, madje kishte në dispozicion disa vjet për ta bërë këtë. Ajo kishte reduktuar jashtëzakonisht prezencën e saj ushtarake, nga rreth 100,000 trupa në vitin 2011 në më pak se 10,000 në vitin 2017, së bashku me një numër të ngjashëm nga vendet e tjera të NATO-s. Ata nuk duhej të mposhtnin talebanët, por të parandalonin shembjen e ushtrisë afgane, kryesisht përmes fuqisë ajrore, dhe kështu t’i detyronin talebanët që të uleshin në tavolinën e bisedimeve.

Apologjetët e Presidentit Biden argumentojnë se paraardhësi i tij, Donald Trump, tashmë e kishte shpërfillur këtë plan duke u përpjekur të nxitonte në një finalizim para zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në Amerikë. Është e vërtetë se Presidenti Trump ishte aq i dëshpëruar për të arritur një marrëveshje të shpejtë saqë ai pranoi kushte të pakuptimta, duke rënë dakord t’i jepte fund dislokimit të trupave amerikane edhe pa siguruar një armëpushim, e lëre më një plan të qartë për t’i dhënë fund luftës civile. Ai tashmë e kishte zvogëluar praninë amerikane në pak më shumë se 2,000 ushtarë deri në kohën kur Presidenti Biden mori detyrën dhe kishte premtuar se do të tërhiqte pjesën tjetër deri më 1 maj.

Por Presidenti Biden nuk duhej t’i përmbahej kësaj marrëveshjeje. Në fakt, ai nuk iu përmbajt asaj plotësisht, duke refuzuar t’i përmbahet orarit origjinal. Talibanët nuk po iu përmbaheshin marrëveshjes, duke progresuar në fushëbetejë në vend që të negocionin në mirëbesim me qeverinë afgane. Kjo mund të ketë qenë arsye për të ndaluar ose ndryshuar tërheqjen amerikane. Kishte pak presion politik brenda Amerikës për ta sjellë luftën në një përfundim të shpejtë. Megjithatë Presidenti Biden po punonte në një afat arbitrar dhe të pabindur të tijin, duke kërkuar t’i jepte fund luftës deri në përvjetorin e 20 të sulmeve të 11 Shtatorit. Megjithëse shpejtësia e kolapsit të qeverisë afgane befasoi shumicën e vëzhguesve, ushtarët dhe politikanët e Amerikës ishin ndër optimistët më naivë, duke këmbëngulur se një kolaps total ishte një perspektivë shumë e largët. Dhe kur u bë e qartë se ushtria afgane po venitej dita-ditës, Presidenti Biden vazhdoi me këmbëngulje, pavarësisht nga pasojat e mundshme.

Si rezultat, fuqia e Amerikës për të penguar armiqtë e saj dhe për të qetësuar miqtë e saj është reduktuar dukshëm. Inteligjenca amerikane ishte e mangët, planifikimi ishte i ngurtë, udhëheqësit ishin kapriçioz dhe shqetësimi për aleatët ishte minimal. Kjo ka të ngjarë të inkurajojë xhihadistët kudo, të cilët do ta konsiderojnë fitoren e talebanëve si dëshmi se Zoti është në anën e tyre. Kjo gjithashtu do ta inkurajojë aventurizmin nga ana e qeverive armiqësore si ajo e Rusisë ose Kinës, dhe do t’i shqetësojë miqtë e Amerikës. Presidenti Biden e ka mbrojtur tërheqjen e trupave amerikane duke argumentuar se Afganistani ishte një shpërqendrim nga problemet më urgjente, siç ishte rivaliteti i Amerikës me Kinën. Por duke e lënë Afganistanin në një mënyrë kaq kaotike, Presidenti Biden do t’i ketë bërë ato probleme të tjera më të vështira për t’u trajtuar.

Pas rënies

Tërheqja simbolike nuk e zbeh detyrimin e Amerikës dhe aleatëve të saj ndaj afganëve të zakonshëm, porse e rrit atë. Ata duhet të përdorin atë levë që e kanë ende për të nxitur moderimin ndaj talebanëve, veçanërisht në trajtimin e tyre ndaj grave. Të zhvendosurit do të kenë nevojë për ndihmë humanitare. Vendet perëndimore gjithashtu duhet të pranojnë më shumë refugjatë afganë, radhët e të cilëve ka të ngjarë të shtohen edhe më dhe të ofrojnë ndihmë bujare për fqinjët e Afganistanit për t’u kujdesur për ata që mbeten në rajon. Nxitimi i udhëheqësve evropianë me deklarata se ata nuk mund të pranojnë shumë afganë të persekutuar edhe pse marrja në kontroll e Afganistanit nga ana e fanatikëve të dhunshëm është pothuajse po aq e dhimbshme sa tërheqja e gabueshme e Amerikës. Është tepër vonë për ta shpëtuar Afganistanin, por ka ende kohë për tndihmuar afganët.

Linku: https://www.economist.com/leaders/2021/08/21/the-fiasco-in-afghanistan-is-a-grave-blow-to-americas-standing