Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico Foto: Robert Fico/ Facebook

Faqja zyrtare e kryeministrit sllovak konfirmon se "pati atentat ndaj tij"

Faqja zyrtare e kryeministrit sllovak, Robert Fico, ka konfirmuar se ndaj tij është bërë atentat.

Sipas postimit, Fico u qëllua disa herë dhe aktualisht ndodhet në rrezik për jetë.

“Në Robert Fico u bë atentat sot. Ai është qëlluar disa herë dhe aktualisht ndodhet në rrezik për jetën. Në këtë moment ai transportohet me helikopter në Banská Bystrica, sepse do të duhej shumë kohë për të arritur në Bratislavë për shkak të nevojës së një procedure akute. Orët e ardhshme do të vendosin” – thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Facebook” të Robert Fico më 15.05.2024.

Presidentja në largim, Zuzana Caputova, ka reaguar duke u shprehur e tronditur nga ky akt. Ajo e ka dënuar ashpër sulmin ndaj kryeministrit Fico.

“E tronditur plotësisht nga sulmi brutal i sotëm ndaj kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico, të cilin unë e dënoj në termat më të ashpër të mundshëm. I uroj shumë forcë në këtë moment kritik dhe shërim të hershëm. Mendimet e mia janë edhe me familjen dhe të afërmit e tij” – ka shkruar Caputova në rrjetin social “X” .

Ndërkaq, Peter Pellegrini, presidenti i zgjedhur nga zgjedhjet e muajit mars 2024, tha se sulmi ndaj kryeministrit është kërcënim për të gjithë.

“Mora informacionin me tmerr se kryeministri Robert Fico ishte shënjestër e një atentati në Handel dhe kishte pësuar plagë me armë zjarri gjatë takimeve me njerëzit. Jam i tmerruar se ku mund të çojë urrejtja ndaj pikëpamjeve të tjera politike. Ne nuk duhet të pajtohemi me gjithçka, por ka shumë mënyra se si mund ta shprehim mosmarrëveshjen tonë në mënyrë demokratike dhe ligjore” – ka shkruar mes tjerash Pellegrini në “Facebook” më 15.05.2024.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar sot, më 15.05.2024, se është qëlluar me armë zjarri kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico.

Agjencia e lajmeve TASR raportoi se Fico u qëllua përpara një ndërtese në Handlova, ku ishte mbajtur një mbledhje e qeverisë.

Sipas gazetarëve në vendngjarje janë dëgjuar disa të shtëna.

Ai është dërguar në spital dhe sulmuesi i tij i dyshuar është ndaluar nga policia.

Mediat ndërkombëtare: Qëllohet me armë zjarri kryeministri i Sllovakisë