
Ende gjenden të mbijetuar të tërmetit që la mbi 2.700 të vdekur
Punëtorët e ekipeve të kërkim-shpëtimit kanë shpëtuar një grua 63-vjeçare në rrënojat e një ndërtese në kryeqytetin birmanez të martën, por kanë nisur të zbehen shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë të mundshëm të tërmetit që la më shumë se 2.700 të vdekur, duke thelluar krizën humanitare në Birmaninë në luftë civile, ka raportuar agjencia amerikane e lajmeve AP.
Departamenti i zjarrfikësve në Naypyitau ka bërë të ditur se një grua është nxjerrë e gjallë nga rrënojat 91 orë pas tërmetit prej 7.7 ballësh që kishte shembur ndërtesën e saj të premten e javës së kaluar. Ekspertët kanë thënë se bien theksueshëm gjasat për gjetjen e të mbijetuarve pas 72 orëve.
Shefi i qeverisë ushtarake të Birmanisë, gjenerali i lartë, Min Aung Hlaing, ka thënë se 2.719 persona janë gjetur të vdekur, 4.521 janë plagosur dhe 441 të tjerë konsiderohen të zhdukur, ka raportuar një portal birman.
Të dhënat pritet të rriten për shkak se tërmeti ka prekur hisen më të madhe të vendit, duke lënë shumë rajone pa rrymë, lidhje telefonike ose celulare, si dhe duke dëmtuar rrugë dhe ura. Është e zorshme që të ketë vlerësim të saktë të gjendjes në terren për shkak të mungesës së qasjes në mbarë vendin.
Shumica e raporteve kanë ardhur nga Mandalay, qyteti i dytë më i madh i Birmanisë, ku edhe ishte epiqendra e tërmetit, dhe prej Naypyitauit.
“Nevojat janë të mëdha, dhe po rriten orë pas ore”, ka deklaruar Julia Rees, zëvendëspërfaqësuese e UNICEF-it për Birmani. “Është mbyllur dritarja për reagim jetësh njerëzore. Në krejt rajonet e prekura, familjet po ballafaqohen me mungesë akute të ujit të pastër, ushqimit dhe ilaçeve”.
Departamenti birmanez i zjarrfikësve ka bërë të ditur se ka shpëtuar 403 persona në Mandalay dhe se deri tani janë nxjerrë 259 trupa të pajetë./ AP
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com