Betonimi i kalldërmit në lagjen Nënkala,Fotografi: Elmedina Dorambari në Facebook

'EC Ma Ndryshe' i bën thirrje komunës së Prizrenit t’i ndalë punimet në Qendrën Historike

Organizata jo-qeveritare “EC Ma Ndryshe” e cila angazhohet për qytetari aktive në formësimin e ambientit jetësor ka reaguar pas vendosjes së kubëzave të betonta në rrugën e Lagjes Nënkala në Qendrën Historike të Prizrenit.

“I  bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit, si investitor i këtij projekti të ndaloj menjëherë punimet jo-adekuate në Nënkala dhe ti përmbahet projektit të aprovuar”, ka shkruar organizata në Facebook.

Sipas tyre, Zona e Nënkalasë së bashku me lagjet Panteli dhe Potokmahallë janë ansamble të listuara në listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme dhe poashtu të listuara si komplekse arkitektonike në aneksin e Ligjit të Qendrës Historike të Prizrenit.

“EC Ma Ndryshe dënon veprimet e fundit të Komunës së Prizrenit, gjegjësisht investimet dhe ndërhyrjet joprofesionale në lagjen Nënkala që gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit”, ka reaguar organizata.

Dje KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me  vendosjen e kubëzave të betonta në Zonën Historike të Prizrenit, në vend të kubëzave lumorë ose granit.

Kjo rrugë nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit kishte marrë pëlqimin të shtrohet me kalldrëm dhe jo me kubëza të betonta.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit, tha për KALLXO.com se në vitin 2018 kishin pëlqyer projektin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor për shtrimin e rrugës me gurë lumorë ose graniti.

Sipas Hoxhës, në bazë të projektit “Rehabilitimi i rrugës në Nënkala” ishte paparaparë  të shtrohet me kalldrëm, të vendosen disa ulëse, shporta për mbeturina dhe trupa ndriçues.

Në projektin “Rehabilitimi i rrugës në Nënkala” thuhet se  materiali me të cilin do të shtrohej rruga në lagjen në Nënkala nga Shkolla e Muzikës ishte me gurë lumorë ose granit.

Rruga e cila po shtrohet me beton është brenda kufijve të Zonës Historike të Prizrenit, respektivisht në zonën e Nënkalasë sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit dhe se sipas Hoxhës punimet në këtë rrugë duhet të ndalen.

Arkeologu dhe udhëheqësi i projektit për restaurimin dhe konservimin e Kalasë së Prizrenit, Shafi Gashi, tha për KALLXO.com se vendosja e kubëzave te betontë në Zonën Historike është moszbatim i ligjeve vendore dhe ndërkombëtare.

Shtrimi me beton është në kundërshtim me Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Planin e Konservimit dhe nuk është në përputhshmëri me pëlqimin e lëshuar nga QRTK.