Betonimi i kalldërmit në lagjen Nënkala,Fotografi: Elmedina Dorambari në Facebook

Komuna e Prizrenit devijon projektin, shtron rrugën me kubëza të betonta në Qendrën Historike

Një rrugë në lagjen Nënkala në Zonën Historike të Prizrenit është shtruar me kubëza të betonta.

Rruga nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit kishte marrë pëlqimin të shtrohet me kalldrëm dhe jo me kubëza të betonta.

Dje, aktivistja Elmedina Dorambari në një postim në Facebook kishte publikuar disa foto ku shihet rruga e shtruar me kubëza të betonta e ndeshur me kalldrëmin shumëshekullor të Prizrenit.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit, tha për KALLXO.com se në vitin 2018 kishin pëlqyer projektin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor për shtrimin e rrugës me gurë lumorë ose graniti.

Sipas Hoxhës, në bazë të projektit “Rehabilitimi i rrugës në Nënkala” ishte paparaparë  të shtrohet me kalldrëm, të vendosen disa ulëse, shporta për mbeturina dhe trupa ndriçues.

Në projektin “Rehabilitimi i rrugës në Nënkala” thuhet se  materiali me të cilin do të shtrohej rruga në lagjen në Nënkala nga Shkolla e Muzikës ishte me gurë lumorë ose granit.

Rruga e cila po shtrohet me beton është brenda kufijve të Zonës Historike të Prizrenit, respektivisht në zonën e Nënkalasë sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit dhe se sipas Hoxhës punimet në këtë rrugë duhet të ndalen.

“QRTK e Prizrenit ka marrë vendim bazuar në ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit (QHP) dhe planin e konservimit ku lejohet shtrimi i rrugëve me kalldrëm” tha Hoxha.

Shtrimi me beton është në kundërshtim me Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Planin e Konservimit dhe nuk është në përputhshmëri me pëlqimin e lëshuar nga QRTK.

Arkeologu dhe udhëheqësi i projektit për restaurimin dhe konservimin e Kalasë së Prizrenit, Shafi Gashi, tha për KALLXO.com se vendosja e kubëzave te betontë në Zonën Historike është moszbatim i ligjeve vendore dhe ndërkombëtare.

Sipas Gashit, çdo ndërhyrje në monumente të kulturës dhe në zonat e mbrojtura, praktikohet që të përdoren materiale sa më origjinale dhe të përafërta me origjinale.

“Unë të premten dhe të shtunën si dhe sot në mengjes gjatë ngjitjes në Kala e kam parë dhe u befasova me vendosjen e kubëzave të betonit në rrugën afër fundit të lagjes së Nënkalasë, pranë kishës. Kalldërmi i qytetit ka qenë i tëri i ndërtuar me gurë lumi të Lumbardhit të Prizrenit, dhe pas viteve të 50- ta edhe me kubëza guri”” tha Gashi.

Ai tha se duhet të zbatohen ligjet dhe konventat vendore dhe ndërkombëtare që të përdoren materiale sa më origjinale me ato që kanë qenë në punët restauruese dhe se duhet të vazhdohet me të njëjtat nëse nuk është punë e përkohshme.

“Identiteti i Prizrenit  ka humbur shumë, dhe  ky identitet në njërën anë është humbur nga sistemi komunist serbosllav dhe  në emër të ndërtimit të së resë dhe modernes. Dhe pas vitit 2000 nga vetë ne, duke mos qenë seriozë dhe  duke mos u përfillur opinioni i stafit profesional me përvojë në fushën e Trashëgimisë Kulturore”, tha ai.

QRTK përmes një reagimi në Facebook ka thënë se Komuna e Prizrenit në vazhdimësi nuk është duke punuar në respektimin e Ligjit të Qendrës Historike të Prizrenit, dhe se trashëgiminë kulturore nuk e ka parasysh fare, duke mos investuar aspak në ruajtjen dhe mbrojtjen e saj e as duke mos zbatuar ligjet në fuqi.

“I bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit si investitor i këtij projekti të ndaloj menjëherë punimet jo-adekuate në Nënkala dhe t’i përmbahet projektit të aprovuar nga ana e QRTK-së”, thuhet ne reagim.

KALLXO.com gjatë ditës është munduar të marrë përgjigje nga Komuna e Prizrenit por të njëjtit nuk kanë pranuar të përgjigjen deri nesër.

Qendra Historike mbrohet me një ligj të veçantë, qëllimi i të cilit është përcaktimi i rregullave për mbrojtjen, administrimin dhe zhvillimin bashkëkohorë të qëndrueshëm të Qendrës Historike të Prizrenit si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar.

Lagja Nënkala në Prizren ,Fotografi: Elmedina Dorambari në Facebook