Ditë e ngarkuar në Kuvend – bashkatdhetarët nuk përfitojnë nga vizita e tyre

Të mërkurën, më 21 korrik, Kuvendi hapi dyert për bashkatdhetarët që duan ta vizitojnë objektin. Është traditë e Kuvendit që gjatë sezonit të verës, atëherë kur fluksi i mërgimtarëve që kthehen në vendin e tyre është më i madh, të organizohen vizita brenda objektit për të interesuarit.

Meqë më 2020 pandemia e kishte vështirësuar edhe grumbullimin e njerëzve në të njëjtin vend edhe udhëtimin e mërgimtarëve për në vendin e tyre, vizita e realizuar sot ishte e para pas dy vjetësh.

Numri i vizitorëve ishte minimal dhe vizita doli jofrytdhënëse.

Gjatë vizitës në sallat brenda Kuvendit të Kosovës, u dhanë informata të shkurtra dhe sipërfaqësore për historikun e Kuvendit nga zyrtarë të administratës së këtij institucioni, përbërjen e tij dhe hapësirave, e gjithashtu kishte hapësirë për pyetje dhe fotografi. Pengesa e vetme për të shkrepur fotografi të bukura ishte se në sallën kryesore të seancave parlamentare, dritat nuk ishin ndezur ende.

Përveç vizitës që nuk zgjati më shumë se 20 minuta, në qendrën e Kuvendit për vizitorë, hollin e Kuvendit, dhe sallën e seancave parlamentare, dy vizitorët prezentë, të ardhur nga Zvicra, u shprehën se do të ishte më mirë sikur gjatë vizitës të mund të takoheshin me deputetë të Republikës apo edhe me kryetarin e Kuvendit.

Arsyetimi i mungesës së zyrtarëve të tjerë të Kuvendit, përveç udhëheqëses së vizitës, ishte se të gjithë ishin momentalisht nëpër mbledhje të komisioneve, agjenda e të cilave ishte ndeshur me atë të vizitës së parë për vitin 2021.

Në përfundim të vizitës së tyre, bashkatdhetarët takuan spontanisht deputetin Haki Abazi, i cili u ndal për një bisedë spontane me ta me ç’rast vizitorët i kërkuan që në vizitat e radhës të sigurohen që të ketë deputetë dhe zyrtarë të tjerë që i mirëpresin vizitorët.

“Ne e pamë objektin, si objekt, por njerëzit jo. Ata janë kryesorët që kam qejf me i pa”, tha njëri nga vizitorët në prani të Abazit.

“Unë kam qenë një prej përkrahësve që Parlamenti të hapet për vizitorët mërgimtar. Ka ndodhur një konflikt në agjendë, meqë janë shtyrë seancat për shkak të mosmiratimit të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sot është bërë një mbivendosje e komisioneve bashkë me seancën plenare që do të vazhdojë më vonë”, u tha Abazi vizitorëve.

Ndërsa u shpreh se i kuptonte dëshirat dhe frustrimin e vizitorëve, Abazi u kërkoi ndjesë atyre që nuk patën mundësi të marrin atë për të cilën kishin ardhur në vizitë në Kuvend, dhe u tha se do të sigurohej që e njëjta gjë të mos ndodhë në dy ditët në vijim.

“Shpresoj që në dy ditët tjera të bëjmë intervenimin e duhur që të përmirësohet edhe mikpritja e gjithashtu edhe të kemi në dispozicion deputetë me të cilët diaspora mund të bashkëbisedojë”, tha Abazi.

Kuvendi qëndron i hapur për vizitorë nga diaspora nga e mërkura deri të premten, prej orës 10:00 deri në orën 16:30.