Dita e Çlirimit - Veteranët britanik rikalojnë rrugën që NATO bëri 25 vjet më parë

Një numër i veteranëve të ushtrisë britanike bashkë me disa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kaluar prapë pas 25 viteve rrugën që NATO bëri në 1999-ën për të çliruar Kosovën.

Në një njoftim në rrjetin social X, në llogarinë zyrtare të Atasheut të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar është falënderuar FSK për mirëpritjen që ua ka bërë veteranëve britanik.

“Ne ndoqëm rrugën e ndërmarrë nga NATO, 25 vjet më parë nëpër ura dhe tunele në drejtim të Prishtinës, duke takuar miq të vjetër dhe të rinj gjatë rrugës” – u tha në njoftim.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

25 vjet nga ajo ditë, misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë situatën e sigurisë, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.

Kosova, një çerek shekulli e lirë