
Diskutime për pezullimin e licencave të televizioneve nga KPM
Në komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal janë duke raportuar anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media.
Fitim Haziri, anëtar i komisionit ngriti dyshimet se vendimi i KPM-së për pezullimin e licencimit të licensave për ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuele me transmetim përmes rrjetit të operatorëve të shpërndarjes nga ky institucion mund të jetë i paligjshëm.
“Keni marrë në vendim në bazë të çka? Ju nuk mund të punoni sipas qejfit tuaj, ju bazoheni diku. Mund të jetë vendim i paligjshëm pasi që keni pezulluar një nga kompetencat e KPM-së që është dhënia, pezullimi dhe monitorimi i licencave”, tha Haziri.
Kryetarja e Komisionit, Doarsa Kica- Xhelili kërkoi nga anëtarët e KPM-së që përmes një përgjigje elektronike të dihet iniciuesi i vendimit.
Violeta Hyseni- Kelmendi, anëtare e KPM-së tha se ka një arsye për pezullimin e kësaj kompetence.
“Kemi marrë këtë vendim sepse jemi duke krijuar kritere të reja për marrjen e licencave, sepse po ka televizione që veç po i marrin lejet dhe me nuk lajmërohen ne KPM”, tha ajo.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e mbajtur më 16 mars 2021, kishte vendosur të pezullohet përkohësisht lëshimi i licencave për ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuele me transmetim përmes rrjetit të operatorëve të shpërndarjes, deri në përcaktimin e kritereve dhe procedurave të reja për licencimin e tyre.